Rrahman FERIZI
ETIMOLOGJIA POLITIKE
Sipas etimologjisë gjuhësore, forcës politike i referohet pushteti, autoriteti, juridiksioni, kontrolli, cili nënkupton të drejtën për të qeverisur, për të sunduar ose për të përcaktuar fatin e shoqërisë. Pushteti politik po ashtu nënkupton zotërimin e aftësisë për të ushtruar forcë, autoritet ose ndikim (pa) kompromis. Ndërsa fuqia për të formuar opinionin e opinionit publik nënkupton, pushtetin për një qëllim të caktuar brenda kufijve të përcaktuar (kompetencën dhe autoritetin, menaxhimin). Politika e deritashme e qeverisjes në vendin tonë është bazuar kryesisht në përdorimin e ndikimit politik (si forcë autoritare dhe ekonomike) si mekanizëm më shumë imponuese dhe mohuese, se sa si një politikë që bazohet në ato parime etike që së paku thirret, të demokracisë.
POLI(E)TIKA DHE PASOJAT NË ARSIM-EDUKIM DHE EKONOMI
Dihet se politika shtetërore ndikon në edukimin shoqëror dhe kombëtar, nga niveli i institucioneve parashkollore, të niveli i shkollimit të mesëm, deri në atë Universitar, përfshirë edhe Institucionet private të Arsimit të Lartë, të cilat me “përjashtime minore”, janë bërë më shumë “fabrika” të shpërndarjes së diplomave në seri. Ndërsa për produktin final, për të sa po diplomuarin “kujdeset” titulli i tij, i cili do të jetë si “performancë” e mirë për punësim në ndonjë dyqan këpucësh apo kafiteri, ku rëndom luhet edhe “fati” i shumicës së kolegëve të tij, si në bastore sportive. Sa ndikojnë programet kombëtare arsimore në Kosovë (gjendja nuk është më mirë as në trojet tjera shqiptare) ku shkollat dhe planpragramet janë thuajse të kontrolluara nga politika, nga nivel lokal deri në atë shtetëror?!.
Ky mossukses u reflektua edhe në testin “PISA 2015”, me përafërsisht 540.000 nxënës pjesëmarrës në këtë testim, duke përfaqësuar rreth 29 milionë nxënës të moshës 15-vjeçare nga shkollat e 72 vendeve. Ky test ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm, rezultoi se nxënësit e këtyre kategorive nga Kosova janë në nivelet më të ulëta të mundshme në arsim. Ky rezultat arsimor, duhet të jetë një sinjal i fuqishëm për sensibilizim dhe mobilizim në nivel individual dhe shoqëror, në përpjekjen për investim në aspektin edukativ dhe kulturor të nxënësve të cilët nuk janë ende në moshë të pjekurisë, që të lihet fati i tyre në orientimet e teknologjisë digjitale dhe internetit, rrjeteve sociale pa asnjë limit?!.
Institucionet dhe ekspertët relevant edukativo-arsimor në tërë globin, thërrasin për shqetësim serioz lidhur me ndryshimet dhe perceptimet e adoleshentëve dhe gjeneratave të reja, ndaj mësimit, edukimit dhe diturisë, ngase, sipas tyre “ interneti është bërë sfidë serioze për të rinjtë” pa mohuar rolin e tij në informim dhe formim edhe shkencor. Kështu përcaktohet ky proces, nga ekspertët e arsimit edhe nga një shtet me perspektivë teknologjike siç është Gjermania, institucionet serioze kujdesen për shoqërinë, duke ndërmarr masat e nevojshme ligjore, edukativo-arsimore, pa cenuar liritë e shprehjes dhe diversitetit shoqëror.
Po ashtu duke implementuar edhe politika arsimore bashkëkohore në kuadër të edukimit kulturor-religjioz, në bazë të etnitetit dhe përkatësisë kombëtare të caktuar.
Ky fragmentizim sikur deri më tani në arsim dhe edukim në shoqërinë tonë është treguar i pasuksesshëm dhe duhet të ndryshojë dhe reflektojë, nëse institucionet përgjegjëse synojnë që në testet dhe vlerësimet ndërkombëtare të dalin nga getoja (Ghetto), duke treguar sukses dhe shpresë për përmirësim dhe perspektivë. Politika arsimore e mirë ndjek një qëllim të mirë. Institucionet kompetente duhet të vendosin projekt dhe platformë kombëtare (mbipartiake) në zhvillimin e perspektivave bashkëkohore lidhur me edukimin e gjeneratave të së ardhmes së kombit, pa marrë parasysh etnitetin e tyre. Kombi nuk do të shkojë përpara pa një sipërmarrje intelektuale të guximshme dhe unifikuese.
POLI(E)TIKA DHE PASOJAT NË AMBIENT DHE SHENDET
Kushtet në të cilat qytetari kosovar jeton, bazuar në efektet e ndryshimeve të përditshme ekonomike, nga çmimet e ushqimeve, kualitetin e tyre dhe origjinën e dyshimtë, eksportin e tyre, vend qëndrimin dhe kushtet higjienike, deri në konsumin e tij nga konsumatori, lën vend për dyshim serioz në një kontrabandim ndër-shtetëror, bazuar në një zinxhir të mirë-organizuar në hierarkinë biznes-nëntokë-shtet, i cili nuk pyet për njeriun e varfër i cili është izoluar në limitin e mundësive ekonomike të tij, duke zgjedhur produktin e ” marketingut mediatik” me çmim për tokë”, ngase një pjesë e tij duhet të përfundojë në gropat septike, po të funksionojë ligji i mirëfilltë.
Këto dhe elemente tjera kanë direkt ndërlidhje në statusin shëndetësor të shoqërisë, nga të dhënat e konsumit të përgjithshëm deri të asetet e mëdha ekonomike-grandet, të cilat jepen dhe vlerësohen në kontekstin e vijës partiake, fisnore dhe klanore, e shumë-bujq dhe kompani serioze që prodhojnë prodhime vendore lihen në mëshirën e fatit dhe eksportit nga vendet fqinje, natyrisht me dominim prej Serbisë. Produktet ushqimore të dyshimta, të cilat importohen nga vendet fqinje, vijnë me një kosto të ulët, po aq të ulët sa kualiteti i tyre.
Dihet se mënyra e transportit, deponimit, distribuimit deri te konsumimi, kanë ndikim direkt në shëndetin e shoqërisë, gjendje e cila sot reflektohet në numrin e madh të simptomave shëndetësore të shprehura në masë enorme.
Kjo gjendje shqetësuese reflektohet në numrin e “dyqaneve” të ilaçeve, apo produkteve farmaceutike, p.sh vetëm Prishtina, mund të ketë numër të barnatoreve, sa ka gjithsej në Vjenë, Austri. Sa për kualitetin, polietikat e distribuimit të tyre, nuk është gjendja më e mirë krahasuar me produktet ushqimore, me theks se kohët e fundit, janë bërë përpjekje për të respektuar masat ligjore dhe monitoruese në përmirësimin e këtij sektori jetik për shëndetin e shoqërisë.
Nivelet e shërbimit të programeve shëndetësore, pastaj burimet e ujit të pijshëm dhe produkteve ushqimore, kujdesi dhe përcjellja e programeve për ruajtjen dhe kultivimin e ambientit, janë fondamentet e çdo institucioni kredibil, dhe patjetër duhet të jenë program i politikave shtetërore në kontinuitet, pa marr parasysh kush shkon apo vjen në skenë nga subjektet politike, së bashku me vetëdijesimin e qytetarit, për një vet kujdes dhe sjellje të shëndetshme, në raport me ambientin, ruajtjen dhe kultivimin e tij në shkollë, rrugë dhe në çdo vend.
KOHA PËR NDËSHKIMI TË POLI(E)TIKËS NGA INDIVIDI
Si mund të bëj individi këtë ndëshkim.? Me VOTË! Po ku me gjet zotuesin e drejtë, pyet pa faj individi?. Pyetje vërtetë e vështirë! Nëse premtimet e politikes së deritashme bazuar në fushatën parazgjedhore se do të ketë: legjitimitet, respektim dhe zbatim të ligjit, liri të shprehjes dhe veprimtarisë së lirë, ofrim të vendeve të reja të punës, kushte për studim e hulumtim shkencor, prodhim vendor të mirëfilltë dhe rritje ekonomike, shkuan si gjethet në vjeshtë?!.
Ku mbeten ato premtime, pyet sot individi, apo shumica e tyre të zhgënjyer?! Mbetemi me shpresë se nuk ka humbur dhe nuk mungon vizioni i individit kosovar dhe forca e vullnetit pa hile dhe pa urrejtje, e cila do të ndihmojnë në realizimin me sukses, apo në përpjekjen e sinqertë për realizim të programeve të shëndetshme politike, ngase thuajse të gjitha subjektet politike kanë programe që lënë për të dëshiruar së paku në letër, mirëpo ato programe fatkeqësisht nuk po kalojnë as kufijtë e fushatës zgjedhore, për të arritur vetëm deri te realizimi i kolltukëve dhe pozitave të protagonistëve të tyre.
Ana e errët e kësaj utopie të deritashme politike qëndron në faktin se pengohet dhe nuk lihet as në horizont uniteti i një sinergjizmi pozitiv (inercioni nga të gjitha subjektet politike) me vendosmëri që të ndihmojnë një platformë kombëtare, për të realizuar aspiratat fundamentale shtet formuese, mbi politikën e deri sotme denigruese. Vetëm atëherë ana e errët dhe destruktive e subjekteve politike-autokratike do të zëvendësohet me pjesën tjetër konstruktive brenda dhe jashtë oborrit politik të tyre, si një përpjekje serioze për fillimin e një mbarësie politike larg polietikës. Andaj është koha të merret përgjegjësi shoqërore në këtë proces shtet formues dhe orientues drejtë integrimeve euro-atlantike, kundër dezintegrimit, copëtimit kombëtar dhe asimilimit socio-kulturor.