Qytetarët e Ferizajt, të cilët njihen për mjeshtrinë e drurit, kanë filluar të prodhojnë edhe para, veçse të falsifikuara. Punëtoria e një personi u konfiskua nga Policia e Kosovës, derisa në shtëpinë e tij u gjetën monedha mostër, për prodhim të parave.
Makineria e tyre nuk ishte shumë e përparuar, pasi falsifikimi nuk mund të prodhojë më shumë se 50 euro, raporton “Lajmi.net”.
“Në fshatin Bibaj të kësaj komune, njësiti i hetimeve të Policisë së Kosovës, pas një pune operativo-hetimore, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata ka bastisur shtëpinë e një qytetari, nën dyshimin se i njejti ka kryer veprën e cekur. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar monedha 32×20 €, 5×10 € dhe 1×5 €, një laptop, mjete të nevojshme për prerje, skalper, brisk, gërshërë, izolator, letër foli, një vulë për vendosjen e datës, një shirit foli, një maskë plastike”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
“Lajmi.net” ka arritur të sigurojë fotografitë brenda shtëpisë së të dyshuarit dhe pajisjet e konfiskuara.
I dyshuari V.E. (1983) është arrestuar dhe gjatë intervistimit ka pranuar se në bashkëpunim me një të dyshuar tjetër, i cili gjendet në arrati, ka vënë në qarkullim paratë, të cilat i ka prodhuar vetë dhe se ka mashtruar 6 viktima (5 meshkuj dhe një femër), për të cilët janë iniciuar raste.
Po ashtu, i dyshuari ka deklaruar se ka vënë në qarkullim paratë e falsifikuara edhe në shumë qytete të Kosovës dhe jashtë vendit, si në Shqipëri dhe Serbi. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.