Policia sqarohet për incidentin gjatë konferencës së Thaçit dhe arrestimin e aktivistit të VV-së

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin e djeshëm afër ndërtesës së Kuvendit, ku të përfshirë ishin disa aktivistë të Vetëvendosjes dhe mbrojtja e afërt e presidentit Thaçi.

Policia me anë të një komunikate për media,  ka thënë se për këtë çështje ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bazë të autorizimeve ligjore që ka, shkruan lajmi.net.

“Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në komunikatë.

Në këtë komunikatë po ashtu është bërë e ditur se aktivistit të arrestuar i është dhënë trajtimi i nevojshëm mjekësor dhe i është caktuar avokati mbrojtës.

“Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës. Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore”, përfundon Policia e Kosovës.