Policia spanjolle nuk lejon mbajtjen e referendumit në Katalonjë

Policia dhe xhandarmëria spanjolle kanë ndërhyrë kundër mbajtjes së referendumit për pavarësi, të cilin qeveria rajonale e Katalonjës kërkon ta zhvillojë pavarësisht se ai është shpallur i jashtëligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet e ditur se policia dhe xhandarmëria spanjolle ka kryer bastisje në qendrat e përgatitura për zhvillimin e votimit në qeverinë autonome të Katalonjës dhe pasi ka thyer rezistencën e mbështetësve pro referendumit ka konfiskuar fletët dhe kutitë e votimit.

Ministria e Brendshme e Spanjës ka njoftuar se nuk kanë lejuar referendumin e jashtëligjshëm për pavarësi të planifikuar për sot në rajonin e Katalonjës dhe se kanë nisur konfiskimin e të gjitha fletëve dhe kutive të votimit.

Gjithashtu mësohet se njëra nga qendrat që është bastisur ka qenë edhe ajo tek pallati i sportit të bashkisë në qytetin Girona, ku do të votonte edhe kryetari i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont.

Afërsisht 80 forca të xhandarmërisë pasi kanë mbërritur kanë shpërndarë mbështetësit e pavarësisë që kishin formuar barrikadë para derës, dhe kanë marrë nën kontroll sallën.

Ndërsa ka patur përleshje mes xhandarmërisë dhe grupeve mbështetëse të pavarësisë.