Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë ka përgatitur planin operativ, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të ofruar siguri dhe rend publik për të gjithë pjesëmarrësit para ndeshjes kualifikuese për Ligën e Kampionëve në mes të KF Trepça 89 dhe KF Vikingur, që do të zhvillohet sot në orën 18:00 në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Përmes një komunikate për media, policia bënë të ditur se rrjedha e qarkullimit të trafikut rrugor do të kontrollohet dhe drejtohet me udhëzimet e dhëna nga zyrtarët policorë, për të përshtatur një sistem funksional të qarkullimit. Me këtë rast, drejtuesit e automjeteve do të marrin të gjitha instruksionet e duhura nga zyrtarët e Policisë në terren.
“Me qëllim të evitimit të kolonave në trafikun rrugor që shpien tek stadiumi “Adem Jashari”, policia do të aplikojë një sistem të trafikut të orientuar drejt rrugëve alternative që shpien tek parkingjet e siguruara në zonat e tregut të gjelbër dhe në afërsi të stadiumit Riza Lushta. Njoftojmë dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët, në veçanti banorët e zonës së Iliridës në Mitrovicë, që të kenë në konsideratë intervalin kohor nga ora 15:00 deri në 21:00, për shkak të fluksit të veturave. Policia kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, për të mundësuar që secili të vijë dhe të largohet nga ky eveniment sportiv në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatë.