Policia sërish në aksion, vazhdohet aksioni i Karaçevës në rajone të tjera të Kosovës

Aksioni i Karaçevës për mbylljen e kazinove është duke vazhduar edhe sot në rajone të tjera të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga Prokuroria e Gjilanit, IPK dhe Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se në orët e para të mëngjesit të 01 Tetorit 2020, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë e tjera bashkëpunuese, janë duke ekzekutuar urdhërkontrolle në rajone të ndryshme të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Aty thuhet po ashtu se ky aksion është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 Shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë operacion të përbashkët”, thuhet në fund të njoftimit.