Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në trafik

Policia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e mbajtjes së seancës së përbashkët Kosovë-Shqipëri, sipas detyrës zyrtare, do të kujdesen për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacioneve shtetërore në Kosovë.

Policia ka paralajmëruar se në intervale të shkurtra kohore do të ketë bllokim të disa rrugëve, ku pritet të kalojnë eskortat.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortave zyrtare, nën përcjellje dhe sigurim, sipas itinerarit të lëvizjeve si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojnë eskortat) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.