Policia njofton për armatimin e sekuestruar në një lokacion në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka gjetur armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake në një lokacion të Komunës së Zubin Potokut.

Sipas policisë ky armatim është gjetur në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra.

“Sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Pas verifikimit të informacionit njësite policore kanë kryer kontrollin në objekte ndihmëse ku në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra u zbuluan disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake, të cilat janë sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale, e që janë si në vijim:

Një armë AK-47 e demontuar.
Shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët.
Pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike.
Municion të kalibrave të ndryshëm.
Një helmetë ushtarake.
Dhjetë rripa për uniforma ushtarake.
Një kapelë ushtarake.
Dy çantë ushtarake.
Një shall kamuflazhi për snajper.
Një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë.
Disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez.
Disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj”, thuhet në njoftimin e policisë.