Policia ndërhyn ndaj hebrenjve ultra-ortodoksë që protestuan kundër shërbimit ushtarak të detyruar

Policia ndërhyri kundër hebrenjve ultra-ortodoksë (Haredi) të cilët zhvilluan një protestë kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Tel Aviv, kryeqytetin e Izraelit, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të gazetës “The Times of Israel”, hebrenjtë Haredi zhvilluan protestën para qendrës së rekrutimit për shërbimin ushtarak të ushtrisë izraelite në afërsi të Tel Avivit.

Hebrenjtë ultra-ortodoksë protestuan kundër urdhrit të ushtrisë izraelite për të “ri-regjistruar” ata që nuk u paraqitën për shërbimin ushtarak.

Kur protestuesit që refuzuan thirrjen në ushtri tentuan të bllokonin rrugën, policia izraelite ndërhyri kundër protestuesve.

Mes policisë dhe protestuesve u shënuan përleshje, ndërsa disa protestues u goditën.

Gjithashtu theksohet se grupi brohoriti me sloganet: “Më mirë vdekje se të shkosh në ushtri”.

– Përjashtimi i hebrenjve Haredi nga shërbimi ushtarak është çështje diskutimi

Gjykata e Lartë e Izraelit më 25 qershor vendosi se nuk kishte bazë ligjore për përjashtimin e meshkujve Haredi nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe se ata që ishin të aftë për shërbimin ushtarak, duhet rekrutoheshin në detyrë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, më 15 nëntor miratoi vendimin e ushtrisë për të thirrur në detyrë 7 mijë hebrenj Haredi.

Hebrenjtë Haredi përbëjnë rreth 12 për qind të popullatës, ndërkohë ata kundërshtojnë shërbimin e detyruar ushtarak dhe theksojnë se jetët e tyre ia kanë kushtuar studimeve fetare.

Sipas ligjit izraelit, të gjithë mbi moshën 18-vjeç duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por përjashtimi i hebrenjve Haredi nga shërbimi ushtarak është një temë debati në vend prej vitesh.