Policia monitoron me dron, vetëm në fundjavë janë gjobitur 128 shoferë
Monitorimet me dron nga ana e Policisë Rrugore të Shqipërisë kanë vazhduar edhe gjatë kësaj fundjave.
Kontrollet u fokusuan në drejtim të kontrollit dhe ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve që nuk i japin përparësi mjeteve që qarkullojnë në rrethrrotullim, mjeteve që nuk i japin përparësi këmbësorëve në vendkalimet e tyre, mjeteve që kryejnë parakalime në rrugë me fushëpamje të kufizuar ku dhe rrezikshmëria për t’u përfshirë në aksidente rrugore është më e madhe.
“Nga monitorimet dhe kontrollet përgjatë këtyre ditëve janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative, 128 drejtues mjetesh për shkeljet e lartpërmendura”, thotë policia në një njoftim.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit si nga drejtuesit e mjeteve ashtu dhe nga këmbësorët me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.