Drejtoria e policisë së Malit të Zi konfirmoi se ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka hyrë në këtë vend më 11 nëntor dhe po të njëjtën ditë ka braktisur vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me rastin e informacioneve të cilat u publikuan nëpër media, si dhe për shkak të interesit të mediave për këtë çështje, e që ka të bëjnë me atë se ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski hyri në Mal të Zi më 11 nëntor të vitit 2018, për shkak të informimit të drejtë të opinionit njoftojmë se Nikolla Gruevski ka hyrë në Mal të Zi në ditën e lartpërmendur dhe po të njëjtën ditë ka dalë nga Mali i Zi. Policia malazeze në këtë rast plotësisht ka respektuar procedurat ligjore”, njoftohet nga Drejtoria e policisë së Malit të Zi, bëri të ditur televizioni shtetëror malazez RTCG.
Paraprakishtë, policia e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me pretendimet për kalimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, duke konfirmuar zyrtarisht se ai ka dalë nga pika e kalimit kufitar e Hanit të Hotit në Qarkun e Shkodrës.
Në një njoftim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thekson se Gruevski ka përdorur një automjet në pronësi të Ambasadës hungareze në Tiranë.
Kujtojmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook shkroi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.
Policia që nga e hëna në mbrëmje nuk mund ta lokalizonte vendndodhejn e Gruevskit për ta dërguar në vuajtje të dënimit me burg prej dy vitesh për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes” në vlerë prej 570 mijë euro.