Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar dy operacione të ndara me ç’rast ka konfiskuar mbi 33 kg marihuanë.
Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Ferizajt, ku njësitë policore të DHTN-së kanë kontrolluar në një oborr dhe në objekte përcjellëse në tri vende të ndara kanë gjetur dhjetë kavanoza të mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë.
Pas matjes pesha e përgjithshme e substancës narkotike të llojit marihuanë së bashku me kavanoza është 13 kilogramë e 598 gramë.
Në vendin e ngjarjes Forenzika ka bërë vendshikimin e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave materiale, të cilat do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm.
Në rastin e dytë, DHTN-ja gjatë punëve operative në terren ka siguruar informacione se dy të dyshuar janë duke u marrë me trafikim të substancave narkotike.
Me urdhër të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së njërit nga të dyshuarit, me ç’rast është gjetur sasi e konsideruar e narkotikëve.
Gjatë bastisjes në kulmin e shtëpisë së të dyshuarve janë gjetur 19 paketime të llojit marihuanë.
Në cilësi të provave materiale janë gjetur gjithsej 19 kilogramë e 699 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Lidhur me rastin me vendim të prokurorit i dyshuari i parë dërgohet në qendrën e mbajtjes, kurse i dyshuari i dytë lirohet në procedurë të rregullt.