Policia konfirmon se katër viktimat nga shembja e skelës në Gjermani janë shqiptarë

Katër personat që humbën jetën nga shembja e skelës në Hamburg të Gjermanisë dy ditë më parë, janë shqiptarë.

Lajmi u konfirmua nga policia gjermane shkruan Bild, pasi fillimisht u raportua se ishin bullgarë për shkak të pasaportave të tyre.

Identiteti i viktimave ende nuk bëhet me dije, ndërsa vetëm pak orë më parë është nxjerrë një prej trupave të pajetë që kishte mbetur nën rrënoja.

Policia gjermane ka konfirmuar se veç viktimave, edhe një shqiptar tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas Bild, dyshohet se skela nuk ishte ankoruar siç duhet dhe, sipas informacioneve, rreth 80 blloqe betoni (secila me peshë rreth 20 kilogramë) ishin ruajtur në të për t’u instaluar më vonë. Thuhet se gurët janë futur në skelat midis katit të tretë dhe të katërt.

Aksidenti ka ndodhur në Hafencity, zona e një projekti të madh të rizhvillimit të ish-pjesës së portit të Hamburgut. Aty është parashikuar një i ri biznesesh, banimi dhe argëtimi i cili do të përfshijë gjithashtu një terminal shtesë anijesh lundrimi. Punëtorët që vdiqën ishin duke ndërtuar boshtin e ashensorit kur skela u shemb duke i zënë poshtë.