Ballina Lajmet Kosovë Policia kap mbi 32 kg drogë të fshehur në automjetin me targa...

Policia kap mbi 32 kg drogë të fshehur në automjetin me targa serbe në veri të Mitrovicës

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) nga Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm antidrogë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, duke parandaluar transportimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.

Sipas njoftimit, pas marrjes së informatave të besueshme për një automjet me targa serbe që dyshohej se transportonte drogë, DHTN-Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe mbështetjen e Njësisë së Krim Teknikës, ndërmorën operacionin e koduar “SHTEGU” në Pikën e Kalimit Kufitar Kosovë–Serbi në Jarinjë.

Gjatë kontrollit të automjeteve të dyshuara, një veturë e tipit Mercedes A-Class me targa serbe u përzgjodh për një kontroll më të detajuar. Për shkak të dyshimeve të ngritura, automjeti u dërgua në Mitrovicën e Jugut për ekzaminim të mëtejshëm.

Gjatë inspektimit, në pjesën e poshtme të makinës u gjet një rezervuar i modifikuar metalik me dimensione 160×97 cm dhe thellësi 25 cm, i cili përmbante substanca narkotike.

“Brenda tij, policia zbuloi 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin gjithsej 32.4 kilogramë marihuanë”.

PK thekson se operacioni u zhvillua në konsultim të plotë me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Si pjesë e procedurave ligjore, policia konfiskoi dy telefona celularë dhe sekuestroi automjetin për hetime të mëtejshme.

I dyshuari, me inicialet N.M. nga Beogradi, u arrestua dhe me vendim të Prokurorit u dërgua në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë nga njësia antidrogë në Mitrovicën e Veriut.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe rendit, duke luftuar me vendosmëri çdo formë të krimit, përfshirë trafikun e drogës dhe veprimtaritë e paligjshme që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Institucionet e sigurisë falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin e tyre dhe inkurajojnë çdo individ që ka informacione për aktivitete të dyshimta kriminale të raportojë tek autoritetet përkatëse.

Exit mobile version