Policia izraelite vret një të ri palestinez

Me pretendimin se ka plagosur një polic në Jerusalemin Lindor është vrarë një i ri palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).

Luba es Semri, zëdhënës i policisë izraelite, tha se palestinezi u vra për një sulm të dyshuar me thikë ndaj një polici izraelit. Ai nuk zbuloi identitetin e të riut.

Në kohët e fundit janë shtuar sulmet izraelite ndaj palestinezëve. Organizatat për të drejtat e njeriut akuzojnë Izraelin për kryerjen e ekzekutimeve pa gjyq të palestinezëve.

Izraeli që nga viti 1967 mban nën pushtim Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor. Në Jerusalemin Lindor janë rreth 200 mijë, kurse në Bregun Perëndimor dy herë më shumë kolonë hebrenj. Të gjitha vendbanimet e reja çifute të ndërtuara në atë zonë, sipas normave ndërkombëtare janë të paligjshme.

Mes Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit, Izraeli ka ndërtuar një “mur ndarës”, me të cilin pengon ardhjen e palestinezëve në Jerusalem. Paralelisht me këtë, Izraeli që nga viti 2006 mban nën embargo edhe Gazën.