Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Policia izraelite vret një fëmijë palestinez me pretendimin se u “përgatit për...

Policia izraelite vret një fëmijë palestinez me pretendimin se u “përgatit për të hedhur fishekzjarr” ndaj tyre

Rami Hamdan Al-Halhuli

Policia izraelite ka vrarë një fëmijë palestinez në kampin e refugjatëve Shuafat në Kudsin Lindor nën pushtim me pretendimin se u “përgatit për të hedhur fishekzjarr ndaj policisë”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Zyra e guvernatorit të Kudsit të lidhur me administratën palestineze, tha se policia izraelite vrau 12-vjeçarin Rami Hamdan Al-Halhuli me plumb të vërtetë pranë pikës së kontrollit në dalje të kampit të refugjatëve Shuafat.

Në një deklaratë me shkrim nga policia izraelite thuhet se në ngjarjet e ndodhura në orët e mbrëmjes në kampin e refugjatëve Shuafat “punonjësi i policisë qëlloi me një plumb direkt në drejtim të një personi që po përgatitej të hidhte fishekzjarr kundër trupave në rajon”.

Ministri i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, përgjegjës për forcat e zbatimit të ligjit në Izrael, Itamar Ben-Gvir në një postim nga llogaria e tij në median sociale tha se mbështet punonjësin e policisë i cili vrau një djalë 12-vjeçar palestinez.

Në postimin e tij, Ben-Gvir tha: “Përshëndes punonjësin e policisë që vrau terroristin që tentoi të hidhte fishekzjarr ndaj tij dhe njësive në rajon. Ndaj terroristëve duhet të veprohet me vendosmëri dhe saktësi të tillë”.

Në njoftimin e bërë nga minaret në kampin e refugjatëve Shuafat, u njoftua se është shpallur grevë kundër vrasjes së 12-vjeçarit Al-Halhuli.

Si pasojë e dhunës nga forcat izraelite dhe kolonëve të paligjshëm hebrenj, 425 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori 2023 e deri më tani në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim.

Exit mobile version