Policia izraelite shpërndan protestuesit në Kuds që kërkonin përfundimin e luftës në Gaza

Policia izraelite shpërndau me forcë të mërkurën në mbrëmje një demonstratë në Kudsin perëndimor që kërkonte fundin e luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Dhjetëra aktivistë të krahut të majtë të lëvizjes “Kudsi i Lirë” protestuan në Sheshin e Parisit në qytet kundër luftës në Gaza, njoftoi transmetuesi publik izraelit KAN.

Policia konfiskoi pankartat e mbajtura nga protestuesit, të cilat përfshinin slogane të tilla si “Stop Luftës” dhe “Kundër gjenocidit”.

Një video e transmetuar nga KAN tregonte aktivistët izraelitë duke brohoritur “Mjaft luftë”, ndërsa policia i shpërndau me forcë.

Izraelitët kanë organizuar demonstrata për të kërkuar që qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës për dhe kthimin e robërve izraelitë nga Gaza.

Ushtria izraelite rinisi sulmet vdekjeprurëse në Gaza më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë afro 1.500 viktima, ka plagosur 3,700 të tjerë dhe ka shkatërruar armëpushimin e janarit me grupin palestinez Hamas.

Javën e kaluar, Netanyahu u zotua të përshkallëzojë sulmet në Gaza ndërsa po bëhen përpjekje për të zbatuar planin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga enklava.

Më shumë se 50.800 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti nëntorin e kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.