Policia e Kosovës ka gjetur një numër dëshmish në afërsi të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë zyrtarë të policisë, që megjithatë, nuk kanë dashur të ofrojnë hollësi të tjera, për shkak të, siç thonë, “ndjeshmërisë së hetimeve“.
Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se “Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur jo larg nga vendi i ngjarjes“.
Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, që ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 23:00.
Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.
Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.
Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.