Policia izraelite e cila vazhdon me shkeljet në kompleksin Al-Aksa po ushtron dhunë edhe ndaj gazetarëve të cilët e ndjekin situatën në Jerusalem, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ndërhyrjet e mbrëmshme të policisë izraelite ndaj besimtarëve të cilët ishin duke falur namazin e jacisë në derën e Al-Aksës, 13 persona janë lënduar, kurse edhe fotoreporteri palestinez i cili po ndiqte ngjarjen, Fayiz Ebu Rumeyle u godit nga policia.
Rumeyle, duke dashur të marrë pamje nga incidentet, u sulmua nga një numër i madh i policëve dhe u ndalua. Ai u mbajt në stacionin policor deri në ora 04.00 të mëngjesit.
Pamjet e sulmit ndaj Rumeylesë dhe të arrestimit të tij, të cilat u publikuan nëpër rrjete sociale shkaktuan reagime të shumta.
“Policia dëshiron t’i fshehë atë që po ndodh”
Pas lirimit të tij, gazetari Rumeyle në një deklaratë për gazetarin e AA-së thotë se policia izraelite po merr si objektiv sidomos kamermanët dhe fotoreporterët, që t’i fshehë ato që po ndodhin.
“Policia nuk dëshiron që ne t’i tregojmë botës se çfarë po ndodh në Jerusalem. Me të vërtetë ata duan të fshehin atë çfarë po përjetohet këtu. Për këtë arsye na marrin neve si objektiv, kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe hyrjen tonë në vendngjarje. Në të shumtën e rasteve edhe ne si protestuesit bëhemi viktimë të dhunës policore dhe ndalohemi”, thotë Rumeyle.
Përjetimet e fotoreporterit palestinez nuk janë shembull i vetëm. Gazetarët të cilët ndodhen në Jerusalemin e pushtuar Lindor, ballafaqohen me vështirësi të shumta për shkak të bllokimeve të Izraelit. Policia izraelite shpesh e kufizon hyrjen e gazetarëve në rajon, të cilët dëshirojnë të marrin pamje nga incidentet në Al-Aksa dhe në rajonin e rrethuar me mure të Jerusalemit, pra të Qytetit të Vjetër.
Një pjesë e madhe e gazetarëve të cilët dëshironin t’i ndiqnin incidentet pas namazit të xhumasë gjatë javës së kaluar, nuk arritën t’i tejkalojnë barrikadat e vendosura në rrugë nga policia. Kurse gazetarët të cilët arritën të hyjnë në vendngjarje, u detyruan të largohen me forcë.
Deklaratë e çuditshme nga zëdhënësi i policisë
Zëdhënësi i policisë izraelite, Micky Rosenfeld pas ankesave të tilla thotë se “Mediat u mblodhën në njërën nga dyert hyrëse të qytetit. Nuk ka problem, mund të vini këtu”.
Micky nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me atë nëse gazetarët lejohen që të qëndrojnë vetëm në derën Sham dhe se “pse kufizohet hyrja e tyre në vendet tjera ku po ndodhin incidentet”.
Policia izraelite, më 14 korrik vrau 3 palestinezë me pretendimin se kanë kryer sulm të armatosur në xhaminë Al-Aksa kurse dy policë të plagosur izraelitë në këtë rast kanë humbur jetën në spital.
Pas kësaj forcat izraelite i mbyllën dyert e Al-Aksës. Pas dy dite duke hapur dyert e saj Izraeli vendosi detektorë metalikë.
Këshilli i Sigurisë në Izrael natë më parë mori vendimin për largimin e detektorëve të metalit nga dyert e Al-Aksës.
Palestinezët që nga dita e vendosjes së detektorëve të metalit kanë shkuar në dyert e Al-Aksës dhe kanë kryer këtu lutjet dhe namazet e tyre. Ndërkaq ata shpesh u përballën me ndërhyrje të dhunshme të policisë izraelite.