Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Policia franceze është diskriminuese ndaj pakicave etnike”

“Policia franceze është diskriminuese ndaj pakicave etnike”

Politologu dhe kriminologu francez, Sebastian Roche, thotë se policët në Francë bëjnë diskriminim ndaj pakicave etnike dhe sillen në mënyrë më agresive ndaj tyre, ndërkohë që qeveria ngelet e heshtur ndaj këtij problemi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Problemet mes policisë dhe shoqërisë në Francë kanë filluar të debatohen pas një sulmi seksual me shkop të katër policëve ndaj një të riu në Aulnay-Sous-Bois, njërën nga periferitë e Parisit. Në lidhje me këtë, AA zhvilloi intervistë me ekspertin e shkencave politike dhe shkrimtarin e librit “Nga policia në demokraci”, Sebastian Roche.

Roche, i cili punon si profesor në Universitetin Science Po Grenoble, thotë se, në fakt, problemi qëndron në metodat dhe qëllimet e policëve gjatë kontrolleve të sigurisë ndaj personave me përkatësi të ndryshme etnike dhe me gjendje të ndryshme ekonomike.

Sipas tij, policët në Francë bëjnë diskriminim ndaj pakicave etnike. “Policët bëjnë dallime në mes të grupeve etnike dhe sociale. Për dallim nga francezët, policët i kontrollojnë më shumë dhe ushtrojnë më shumë dhunë ndaj njerëzve me origjinë nga Afrika e veriut, Maroku, Tunizia dhe Algjeria, edhe nëse këta nuk kanë kryer krim”, thekson Roche.

Ai thotë se diskriminimi në Francë nuk është problem i ri, duke vënë në pah se “Gjatë kontrolleve policore, policët bëjnë dallime sipas racës, ngjyrës, pamjes së jashtme, veshjes, vendbanimit dhe gjendjes ekonomike të njerëzve.” Ai shton se nëse këta persona dallohen, atëherë i nënshtrohen një trajtimi më të keq.

Duke theksuar se të huajt kontrollohen në baza më të shpeshta nga policia në krahasim me francezët, Roche vë në dukje se policët shfaqin qëndrim më agresive gjatë kontrolleve rutinore ndaj të huajve.

Megjithatë, ai thotë se policët nuk i kushtojnë rëndësi identitetit fetar të njerëzve që i kontrollojnë. “Policët francezë kontrollojnë edhe persona nga Afrika e veriut. Këta persona nuk janë të gjithë muslimanë. Në të shumtën e rasteve, policia nuk e di se cilës fe i përkasin njerëzit që i kontrollon,” vlerëson Roche, duke shtuar se për këtë arsye, është vështirë të flitet për diskriminim fetar.

Sipas Sebastian Roche, policët janë gjithashtu edhe paragjykues dhe parapëlqejnë t’i fusin në kontroll personat të cilët i konsiderojnë me gjasa të larta për të qenë kriminelë.

Ai më tej thekson se policët e rinj janë më agresivë në krahasim me kolegët e tyre të tjerë, teksa këtë gjë, siç thotë ai, e bëjnë për të ushtruar presion, ndërkohë që policët më me përvojë, sipas tij, nuk dëshirojnë të futen në konflikt.

“Qeveria nuk merret me këtë problem” 

Roche tërheq vëmendjes se qeveria nuk merret me diskriminimin e bërë nga policët. Shkaku për këtë, siç thekson ai, është ideologjik. “Nicolas Sarkozy, gjatë mandatit presidencial, kishte marrë vendimin që policia shërbimin primar ta bëjë për shtetin, e jo për qytetarët. Me këtë vendim, policët nuk arritën të jenë në shërbim të qytetarëve”, vazhdon Roche.

Duke folur edhe mbi politikat e presidentit francez François Hollande në lidhje me policët, Roche rikujton se “Hollande kishte premtuar gjatë kandidaturës së tij për president zhvillimin e një mekanizmi për vëzhgimin e policëve, në mënyrë që çdokush të kontrollohet në mënyrë të barabartë.”

Megjithatë, politologu po ashtu rikujton se vendimi i marrë nga Hollande pas zgjedhjes si president ishte anuluar nga ministri i Brendshëm Manuel Valls, kurse Hollande nuk e kishte kundërshtuar këtë gjë.

Duke potencuar se kontrollet e barabarta policore tanimë nuk janë prioritet i qeverisë, Roche thotë se qeveria më shumë prioritet i ka dhënë luftës kundër terrorizmit.

Ndërkaq, Serbastian Roche parasheh që fitorja e mundshme e Marine Le Pen, lideres së djathtë ekstreme të Frontit Nacional, në zgjedhjet presidencial që do të mbahen në prill dhe maj, “do të ndikonte negativisht në diskriminimin etnik nga ana e policëve.”

Kontroll më i madh ndaj personave me origjinë afrikane dhe arabe

Në një raport të publikuar muajin e kaluar nga organizata “Mbrojtësi i të Drejtave” e cila ushtron veprimtari në fushën e të drejtave të njeriut, bëhet e ditur se nga të rinjtë nën moshën 25-vjeçare që i janë nënshtruar kontrollit policor në pesë vitet e fundit në Francë, 80 përqind kanë qenë persona me prejardhje arabe apo afrikane, kurse 16 përqind francezë të bardhë.

Thuhet se në gjithë Francën, personat me prejardhje arabe dhe afrikane i nënshtrohen kontrolleve policore 20 herë më shumë sesa të tjerët.

Po ashtu bëhet e ditur se shumica dërrmuese e personave që i nënshtrohen kontrolleve policore nuk kanë kryer krim, ndërkohë që personat në fjalë nuk i dinë arsyet se pse janë subjekt i kontrolleve.

Sulmi seksual në afërsi të Parisit

Debatet në lidhje me keqtrajtimi dhe diskriminimin nga ana e policisë francezë u nxitën pasi nëpunës policorë dy javë më parë sulmuan seksualisht një të ri në afërsi të Parisit duke përdorur shkop.

Në rajonin periferik të Parisit, Aulnay-sous-Bois, katër nëpunës policorë sulmuan seksualisht me shkop 22-vjeçarin Theo teksa po kryenin kontrollin policor.

Pas rastit i cili ndodhi para syve të shumë njerëzve, i riu u dërgua në spital. Ndërkaq, sulmi ishte regjistruar nga një person me kamerë amatore.

Më pas u bë e ditur se katër policët që kishin sulmuar të riun Theo ishin pezulluar nga detyra dhe se ndaj njërit prej policëve ishte hapur hetim nën akuzën për sulm seksual, ndërsa ndaj tre të tjerëve për “dhunë të qëllimshme”.

Ndërkaq, presidenti François Hollande vizitoi në spital të riun Theo, duke deklaruar se përgjegjësve u është dhënë dënimi i merituar.

  1. Në rrugët e Parisit më tej u organizuan protesta për të riun, me sloganet “Nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Polic abuzues”. Protestat ishin organizuar edhe në qytete të tjera të Francës.
Exit mobile version