Ballina Lajmet Policia e Shqipërisë reagon për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi

Policia e Shqipërisë reagon për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi

Policia e Republikës së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, në një deklaratë thekson se ditën e djeshme u informua nga Policia e Greqisë për vrasjen e një shtetasi shqiptar.

Në reagim thuhet se sipas informacionit të Policisë greke, shtetasi Altin Mulla, 39 vjeç, humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri.

“Policia e Shtetit është në proces të vazhdueshëm shkëmbimi informacioni me Policinë greke për këtë çështje. Ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po kryen hapat e nevojshme me autoritetet homologe greke, Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe familjarët e viktimës se do të ndiqen të gjitha hapat në kuadër të bashkëpunimit diplomatik dhe policor dypalësh, për sqarimin e situatës dhe të rrethanave ku humbi jetën shtetasi shqiptar”, theksohet në deklaratë.

Kujtojmë se kjo ngjarje vjen disa javë pasi shtetasi Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç, banor i minoritetit grek në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.

Exit mobile version