Ballina Lajmet Kosovë Policia e Kosovës realizon disa operacione policore në shkallë vendi (Video)

Policia e Kosovës realizon disa operacione policore në shkallë vendi (Video)

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), në kuadër të veprimeve operativo-hetimore, me qëllim të parandalimit të krimit dhe luftimit të të gjitha formave të trafikimit me njerëz, në koordinim edhe me Prokuroritë Themelore ka ndërmarrë një operacion të gjerë të shtrirë në disa rajone të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i realizimit të operacioneve policore janë arrestuar tetëmbëdhjete (18) persona të dyshuar si dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dymbëdhjetë (12) telefona celular dhe njëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë e pesë (1955) euro, para të gatshme.

Operacionet policore janë realizuar si në vijim:

Më 27.02.2017, pas një hetimi të zhvilluar nga NJHTQNJ Mitrovicë, në një lokal në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë është arrestuar i dyshuari, B. K, i lindur më 1995, mashkull kosovar shqiptar, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ,,Mundësimi ose Detyrimi në Prostitucion ”. Me vendim të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë, i njëjti është dërguar në mbajtje.

Më 28.02.2017, në rajonin e Prizrenit është arrestuar një e dyshuar për kryerjen e veprës penale ,,Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”, ndërsa dy të dyshuar tjerë (një femër dhe një mashkull) janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës: ,,Marrje me Prostitucion’’. Lidhur me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit pran Prokurorisë Themelore në Prizren, me vendim të të cilit pas intervistimit të personave të dyshuar, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Më 01.03.2017, NJHTQNJ-Prishtinë, ka arrestuar të dyshuarin L.A, i lindur më 1978, mashkull kosovar shqiptar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ,,Mundësimi ose detyrimi në Prostitucion” dhe të dyshuarën K.R, e lindur më 1988, femër kosovare serbe, nën dyshimin për kryerjen e Veprës Penale ,,Bashkë-kryerje”. Me vendim të Prokurori të Shtetit pran Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dy të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes.

Më 01.03.2017, DHTQNJ, e asistuar nga Prokuroria Themelore Pejë, ka realizuar një plan taktik për arrestimin e disa personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale: ,,Trafikim me njerëz me qellim të shfrytëzimit seksual dhe pune të detyruar të viktimës”, duke i strehuar dhe detyruar të punojnë me klient të ndryshëm me qëllim të përfitimit pasuror. Gjatë aksionit janë arrestuar dy persona të dyshuar një femër dhe një mashkull.

Më 02.03.2017, pas një hetimi të bërë nga NJHTQNJ-Mitrovicë-Veri, është bërë arrestimi i dy personave S.V, lindur më 1971, mashkull kosovar serb dhe M.J, e lindur më 1984, femër kosovare serbe, për shkak dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën kundërvajtje ,,Marrje me Prostitucion”. Të dyshuarit janë dërguar me procedurë të shpejtë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Më 04.03.2017, hetuesit policorë të DHTQNJ-së, të asistuar nga Njësia Speciale Operative, Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Prokuroria Themelore Prizren, ka ushtruar një kontroll në një lokacion në fshatin Reqan të Prizrenit. Gjatë operacionit policor, janë arrestuar shtatë persona të dyshuar lidhur me veprat penale “Marrje me Prostitucion” dhe ,,Bashke-kryerja”. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit kompetent i dyshuari E.K i lindur më 1959, mashkull kosovar shqiptar, dërgohet në ndalim policor, ndërsa të gjashtë tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Më 06.03.2017, NJHTQNJ Gjilan, ka arrestuar të dyshuarën R.A e lindur më 1981, femër shqiptare shtetase e Serbisë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ,,Trafikimi me njerëz”. Me vendim të Prokurorit të shtetit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative në vend dhe realizimin e detyrave dhe autorizimeve në funksion të zbatimit të ligjit.

Exit mobile version