Policia e Kosovës në dy raste të ndara arreston një person të dyshuar, asgjëson 48 bimë narkotike dhe konfiskon mbi 51 gramë Kokainë.
Në rastin e parë Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Perëndimi” Gjakovë, me datën 21 shtator 2016 gjatë implementimit të planit operativ ‘Mbikëqyrja e shtuar’ ka bërë asgjësimin e disa bimëve narkotike të mbjella në një plantacion në pyll.
Gjatë patrullimit të hetuesve policorë dhe gjatë vëzhgimit të terrenit zyrtarët policorë kanë hasur në një plantacion, ku kanë qenë të mbjella bimë narkotike që dyshohet të jenë të llojit Kanabis Sativa.
Ky plantacion i mbjellë është gjetur në thellësi të pyllit, me ç’rast janë gjetur të mbjella 48 bimë të dyshimta me gjatësi prej 60-120 cm.
Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe pas përfundimit të procedurave me urdhër të prokurorit është bërë asgjësimi i bimëve të dyshuara në vendin e ngjarjes.
Në rastin e dytë Policia e Kosovës, me datën 22 shtator 2016, në orën 20:30, në qytetin e Gjilanit, hetuesit e antidrogës kanë ndaluar një veturë, me ç’rast në brendi të veturës kanë gjetur të fshehura 51.2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë.
Me këtë rast është arrestuar: K. I. lindur me 1971.
I dyshuari i arrestuar dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.