Kreu i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, thotë se Policia ka kapacitetet e nevojshme për të luftuar terrorizimin dhe krimin e organizuar. Sipas tij, Policia e Kosovës gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj ka shënuar ngritje profesionale dhe tani është ndër institucionet me kredibilitetin më të lartë në vend. Ai mohon se Policia dirigjohet nga Qeveria dhe Presidenca.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka thënë se gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj Policia e Kosovës është zhvilluar dhe profesionalizuar aq sa tani është ndër institucionet më kredibile në vend.
Maxhuni në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se me gjithë incidentet e shkaktuara kohëve të fundit, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile dhe se prioritet i Policisë është siguria dhe funksionimi i shtetit ligjor.
Sipas tij, terrorizmi është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet më të zhvilluara në rajon dhe në botë, megjithatë ai thotë se Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri.
Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovës i nënshtrohet vetëm kontrollit civil demokratik siç është e paraparë në Kushtetutë e ligje dhe se nuk është në shërbim të subjekteve apo individëve të caktuar.