Policia në Londër ka ndërhyrë në një protestë të organizuar dje nga kundërshtarët e masave kufizuese dhe vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtarët e grupit “StandUpX” u mblodhën në sheshin “Trafalgar”, duke mbajtur banderola me mbishkrimin “Jo vaksinimit, jo karantinës”, “Duart larg fëmijëve tanë” dhe “Qeveria po gënjen”.
Pjesëmarrësit protestuan ndaj përpjekjeve të qeverisë për ta bërë vaksinën kundër COVID-19 të detyrueshme si kusht për hyrje në disa objekte biznesi.
Pas disa fjalimeve, demonstruesit marshuan te Zyra e Kryeministrit. Në rrugën ku ndodhet zyra, ata hodhën topa tenisi, shishe dhe pishtarë, duke u përpjekur të thyejnë barrikadat.
Disa protestues u arrestuan pasi injoruan paralajmërimet e policisë për t’u shpërndarë.
Dhjetëra persona janë ndaluar gjatë protestave të organizuara nga grupi në javët e fundit. /aa