Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas hetimit të filluar në muajin gusht të këtij viti, ka zbatuar Urdhëresën e GJPP Prishtinë për të kontrolluar disa lokacione në Malishevë, Prishtine, Ferizaj, Lipjan, Shtime dhe Suhareke nën dyshimin e bazuar se është kryer vepra penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.
Sipas Policisë, cak i kontrollit ka qenë e një kompani që selinë e kishte në Malishevë dhe gjashtë degë në qytetet e lartcekura. Pas hetimeve dhe kontrollit të ushtruar në këtë kompani, policia ka arrestuar tetë persona dhe sekuestruar disa prova materiale.
Policia thotë se janë arrestuar shtetasit e Kosovës, V.H. (1991) mashkull, F.B. (1992) mashkull, S.D. (1990) femër, K.H. (1989) femër, O.K. (1991) mashkull, B.K. (1991) femër, A.Q. (1992) femër, I.B. (1987) mashkull.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në veturë, server dhe shumë dokumente.
Të gjithë personat e dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje.