Polici shqiptar i plagosur në protestë dërgohet për trajtim në Turqi

Punonjësi i Policisë së Shqipërisë, Fadil Allaraj, që u plagos disa ditë më parë gjatë protestave në Tiranë është dërguar në Turqi për mjekim të specializuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ai u plagos në sy më 9 dhjetor në protestat për vdekjen e të riut pas ndjekjes nga policia. Dërgimi i tij në Turqi është konfirmuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale ka publikuar edhe fotografitë gjatë momentit të përcjelljes në aeroport me avionin ambulancë turk të efektivit Allaraj.

“Efektivi i plagosur i Policisë së Shtetit, Fadil Allaraj, fluturoi për në Turqi ku do të kryejë një ndërhyrje të specializuar në sy, me shpresën që pas shpëtimit të masës së shqyer të syrit në ndërhyrjen e parë, të mund t’i kthehet edhe një pjesë e shikimit”, ka shkruar Rama.

Efektivi i policisë është përcjellë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, zëvendësambasadorja e Turqisë në Tiranë, Orkide Deniz Akyamaç dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu.

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha pas ndjekjes nga policia ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërkohë në lidhje me ngjarjen dha dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Në Shqipëri për disa ditë janë organizuar protesta pas ngjarjes me pjesëmarrjen kryesisht të të rinjve, që janë shoqëruar edhe me akte dhunë dhe tensione, ku si pasojë janë plagosur dhjetëra policë dhe janë shkaktuar dëme në ndërtesat e institucioneve.