Polica arreston edhe dy persona nga rasti “Karaçeva”

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar për kontrabandë me mallra lidhur me rastin “Karaçeva”.

Policia njofton se në vazhdën e veprimeve operative të grupit hetimor në lidhje me rastin e njohur si ,,KARAÇEVA’’ hetuesit policor të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës sot më 23.09.2020, kanë arrestuar dy persona të dyshuar të cilët në ditën e realizimit të operacionit policor nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre.

Të dyshuarit janë arrestuar në dyshimet se; në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2019-2020 janë marr me veprën penale “kontrabandimin i mallrave” nga territori i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, ku për pasojë i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

Pas intervistimit ndaj të dyshuarve prokurori kompetent ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh, për procedura të mëtejme ligjore.