Ballina Kuzhinë Pogaçe me Gjizë

Pogaçe me Gjizë

Të buta, të ngrohta plot shije, pogaçet janë ndër gatimet më speciale të kuzhinës shqiptare.

Pogaçet e përgatitura nga duart e nënave shqiptare mbushin gjithë shtëpinë me një aromë të mrekullueshme ndërsa ndjellin shijen për t’i konsumuar menjëherë.

Përbërësit

3 gota uji miell

1 gotë uji kos

1 gotë uji vaj ulliri

1 lugë të vogël kripë

1 bustinë sodë buke

2 kokrra vezë

Për masën: 250gr djathë i bardhë, i thërrmuar ose gjizë, gjysmë tufe kopër, gjysmë tufe majdanoz. Për t’ia hedhur sipër: fara të zeza të vogla (susam i zi).

Përgatitja

Përziejmë djathin e shkërmoqur (gjizën), koprën dhe majdanozin e grirë.

Në një enë tjetër hedhim miellin dhe sodën e bukës, pastaj hapim pjesën e brendshme, ku hedhim vezët (1 vezë e plotë, plus 1 të bardhë veze).

Një të verdhë të mbetur të vezës e heqim mënjanë dhe e ruajmë për të lyer sipër pogaçet.

Kësaj mase i shtojmë kosin, vajin e ullirit, kripën dhe e gjithë kjo masë zihet brumë. Ky i fundit duhet të bëhet i butë si pjesa e fundit e veshit.

Nga brumi marrim pjesë të vogla sa një kokërr mandarinë. Topin e vogël të brumit e hapim në pëllëmbë të dorës në formë rrethore dhe mesin e saj e mbushim masën e përgatitur me gjizë.

Brumin e palosim, duke i dhënë formën e gjysmëhënës (me masën brenda) dhe pastaj e shtypim në pjesën që bashkohet, me qëllim që të mos shpërndahet masa gjatë pjekjes.

Pogaçet i rreshtojmë me hapësirë nga njëra-tjetra, në tepsinë e vajosur pakëz.

Sipër i lyejmë me furçë me të verdhën e vezës, të rrahur në një enë më vete dhe sipas dëshirës, mund t’i hedhim sipër fara të zeza të vogla.

I pjekim në furre të nxehtë me 170 gradë.

Exit mobile version