Po vjen “Swexit”, Suedia në gjurmët e Britanisë

Suedia është gati të ndjekë shembullin e Britanisë dhe të largohet nga BE deri në fund të kësaj dekade, kjo si pasojë e pakënaqësive të mëdha për drejtimin që po ndjek projekti evropian, thotë një deputet euroskeptik për mediat britanike, transmeton Top Channel.

Peter Lundgren, nga partia e djathtë demokratët suedezë tha se forcat anti-BE po shtohen në Stokholm dhe parashikon se do të ketë një referendum të stilit të Brexit-it për vendin e Suedisë në bllok, brenda pak vitesh.

Partia e tij, kryeson aktualisht në sondazhet e opinionit publik dhe planifikon të rinegociojë kushtet e anëtarësimit të Suedisë para se të shkojë drejt një vote publike, nëse do të marrë pushtetin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Ai thotë se shumë zgjedhës në vendin skandinav, që i ka rezistuar apeleve për t’iu bashkuar euros, janë të alarmuar nga drejtimi që ka marrë BE dhe duan të shkëputen.

Një sondazh i kryer në janar tregonte se 39 për qind e suedezëve janë aktualisht në favor të daljes nga blloku, numër ky pothuajse i barabartë me britanikët që kanë mbështetur Brexit-in para se David Cameron të shpallte referendumin. Zgjedhjet e përgjithshme në Suedi, që do të mbahen në ose para 9 shtatorit të vitit të ardhshëm, do të jenë kështu një test i rëndësishëm për bashkimin evropian, që po përballet me një rritje frenetike të forcave populiste.