“Po rrinim të qetë”: Rrëfimi tronditës i të mbijetuarve pas bombardimit të tendave në al-Mawasi

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite që goditën gjatë natës disa tenda në zonën e al-Mawasi, në qytetin jugor të Khan Younis, në Rripin e Gazës.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, shpërthimi ishte i madh dhe përfshiu në flakë një pjesë të madhe të kampit të improvizuar, ku ishin strehuar mijëra civilë palestinezë.

“Po rrinim të qetë në tendë, kur papritur pamë një dritë të kuqe që ndriçoi gjithçka – dhe më pas tenda shpërtheu. Të gjitha tendat përreth morën flakë,” rrëfen për agjencinë AFP Israa Abu al-Rus, një nga të mbijetuarat. “Kjo zonë duhej të ishte e sigurt… I lamë gjithçka dhe ikëm drejt detit, ndërsa shihnim tendat duke u djegur.”

Zona e al-Mawasi ishte shpallur nga ushtria izraelite si një “zonë e sigurt” në dhjetor të vitit 2023. Kjo bëri që dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës të strehoheshin aty në kushte të vështira. Megjithatë, pavarësisht këtij statusi, zona është goditur disa herë nga bombardimet që nga ajo kohë.

Skenat pas sulmit janë përshkruar si rrëqethëse, me civilë që kërkojnë të mbijetuarit mes rrënojave dhe tentave të djegura, ndërsa shpresat për siguri në të ashtuquajturën “zonë të sigurt” po veniten dita-ditës.