Dikur UDB-ja përmes titistëve bënte kërdinë, më pas eksponentë të LPK-së morën pushtetin duke mos pasur një shtresë shoqërore antikomuniste dhe si të tillë ata u shfaqën si çlirimtarë duke e shfrytëzuar luftën e shqiptarëve për çlirim ashtu siç e kishte shfrytëzuar edhe vetë Enver Hoxha luftën antifashiste, pas së cilës e mori pushtetin siç thoshin “me armë e kemi marrë pushtetin popullor dhe me armë do ta mbrojmë atë”.
Shkruan: Ardian LIMANI, Shkup
Përmbysja e sistemeve totalitare në shoqëritë komuniste dallon shumë nga vendi në vend. Ky dallim bëhet thelbësor kur është fjala për “përmbysje formale” ose “përmbysje përmbajtjesore”. Derisa në shtetet e bllokut socialist të Europës Qendrore dhe Lindore, kur njeriu rebelohej ndaj sistemit, ai dënohej individualisht, në Shqipëri, përveç atij që rebelohej, dënohej e gjithë familja (fisi), pra faji ishte kolektiv. Kjo do të linte pasoja të thella në shoqëri, sepse nuk do të kishte masë kritike ndaj sistemit për t’u formuar klasa antikomuniste.
Në Shqipëri kishim përmbysje formale të sistemit, sepse në fakt ai vetëm e ndryshoi emrin, ndërsa i tërë aparati mbeti thuajse po ai. Edhe vetë demonstratat e dhjetorit i organizonin studentët, por në atë sistem student nuk mund të ishe nëse e kishe familjen me biografi të kontestuar. Pra, studentë ishin bijtë e komunistëve ose të shtresës së nënshtruar shoqërore. Për këtë do të flasë më shumë edhe rrëfimi i skulptorit Agim Rada (1953-2023), i cili gjatë një interviste televizive tha: “Demokracia nuk erdhi kurrë në Shqipëri, sepse ajo u bë me program. Unë nuk besoj te Studentët e Dhjetorit, sepse ajo demonstratë ishte një shpërthim rrufeje në qiell të pastër dhe papritmas na dolën demokratët me pardesy të bardha që i ruante Sigurimi. Njëri prej tyre më pati thënë që të mos flas poshtë e përpjetë, por të bashkohem me ta. Unë ia ktheva se ju nuk na pranoni, se ne nuk kemi qenë kurrë komunistë. Fara më e keqe e komunistëve pranoi të tjetërsohet. Ramiz Alia u kishte pas thënë disa studentëve: bijtë e mi, ju do ta keni në dorë Shqipërinë dhe jo ata që vramë deri dje, ju do jeni aristokracia e re”.
Edhe Lea Ypi, në librin e saj “Të lirë”, ndër të tjera shkruan se si fëmijë i kujtohej turma e njerëzve që dolën të festonin në paradën e 1 Majit, ndërsa po e njëjta turmë në dhjetor “kumbonin me parulla të çuditshme: liri-demokraci, liri-demokraci”. Këta dy shembuj të kujtojnë se të guximshmit që e kishin kundërshtuar sistemin komunist ishin vrarë ose ishin burgjeve dhe kampeve të ndëshkimit, e së këndejmi ata nuk jetonin as Tiranë, ku zhvilloheshin ngjarjet për inicimin e ndryshimeve shoqërore, por as nëpër qytetet e tjera. Ata ishin të internuar fshatrave, ku bënin punët më të vështira ose ishin larguar nga Shqipëria pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore dhe vendosjes së pushtetit “popullor”. Nga kjo vijmë te konstatimi se Ramiz Alia dhe sistemi që ai përfaqësonte në epokën e ndryshimeve të mëdha në Europë u “dorëzua” përpara atyre që i kishte licencuar për t’ua përcjellë pushtetin, të cilin tani duhej mbajtur me forma të tjera “demokratike”, sepse tanimë kishte rënë Muri i Berlinit, po bëheshin ndryshimet në Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet komuniste përreth, si dhe ngjarjet në Rumani, të cilat e tronditën udhëheqjen e atëhershme komuniste në Shqipëri. Njëkohësisht edhe vetë sistemi komunist në Shqipëri ishte bërë i paqëndrueshëm në aspektin ekonomik dhe standardi i jetës kishte rënë shumë poshtë – shteti nuk kishte më as rezerva në ushqime e as rezerva financiare. E alarmuar nga ndonjë skenar të ngjashëm, ai vendosi t’i përshpejtojë ngjarjet për të pasur kontroll mbi to.
Në Shqipëri, ku nga viti 1945 ishte në pushtet Enver Hoxha, përmes dhunës së ushtruar, shoqëria pësoi një deformim psikologjik – u mësua të nënshtrohej ndaj të keqes, duke u frikësuar nga e liga dhe kjo i bëri njerëzit të jetojnë pa dinjitet, pa të drejtë mendimi, duke u bërë të pazë, sepse gjithçka varej nga “ç’thotë Partia”, ku edhe po të kishte mendimin tënd, nuk pajtoheshe me mendimin tënd, por me atë të Partisë. Ky nënshtrim edhe tani, me forma të tjera, vazhdon ta gërryejë shpirtin e lirë të shqiptarëve, i cili në nënvetëdije është ende i lidhur me enverizmin, tanimë edhe si diagnozë kolektive gjithëshqiptare. Për arsye se për gjysmë shekulli ishte e ndaluar e drejta e fjalës, tek ne thuajse nuk ekziston prania e konceptit të kritikës, madje shpesh duke e ngatërruar kritikën me ofendimin. Duke shprehur mendimin, kategorizoheshe si ofendues, armik, kundërshtar dhe duke u bërë subjekt i cili duhej luftuar.
Shoqëria shqiptare kishte shtrese të mirëfilltë intelektuale deri në vitin 1945, kur filloi instalimi i sistemit komunist në Shqipëri. Më pas, përveç atyre që nuk u nënshtruan, qëndruan stoikë edhe vdiqën me idealet e tyre, të tjerët ishin njerëz të indoktrinuar, që kalonin nëpër gjirize e më pas laheshin sikur nuk ishin bërë pis kurrë, sepse diktaturat nuk nxjerrin njerëz të ngritur, përveçse oportunistë.
Në pjesën tjetër të kombit shqiptar, të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar, pra në Jugosllavi, sundonte një komunizëm hibrid (socializëm liberal), por për shqiptarët ishte diktaturë e hekurt, ngase ata shiheshin si element i rrezikshëm për sigurinë e kësaj federate mes popujve sllavë, me të cilët shqiptarët nuk ndanin ndonjë histori të përbashkët edhe gjuhësisht ishin të ndryshëm.
Shqiptarët e Jugosllavisë, duke qenë pjesa më e madhe popullsi rurale, shumë vonë filluan të ndiqnin arsimin, sidomos atë të lartë (Universiteti i Prishtinës u themelua në vitin 1969). Çështja e shqiptarëve në Jugosllavi gjatë komunizmit nuk ka qenë asnjëherë temë e një analize serioze, siç ka qenë në Shqipëri. Andaj sot e kësaj dite ekzistojnë keqkuptime se atëherë është “jetuar mirë”. Gjithsesi se Shqipëria ishte më e izoluar dhe në Jugosllavi shqiptari i zakonshëm jetonte më mirë se ai në Shqipëri, mirëpo të drejtat e shqiptarëve ishin tejet të kufizuara. Natyrisht që e favorizuar ishte një shtresë e integruar në sistem, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve e njësonin Enver Hoxhën me Shqipërinë dhe kështu tek shqiptarët e Jugosllavisë lindi ideja e enverizmit si patriotizëm. Kështu tek shqiptarët e Jugosllavisë u krijuan dy grupime: titistët, që ishin të inkuadruarit në pushtet dhe enveristët që ishin qëndrestarët.
Me përmbysjen formale të sistemit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë ndryshoi skena politike.
Dikur UDB-ja përmes titistëve bënte kërdinë, më pas eksponentë të LPK-së morën pushtetin duke mos pasur një shtresë shoqërore antikomuniste dhe si të tillë ata u shfaqën si çlirimtarë duke e shfrytëzuar luftën e shqiptarëve për çlirim ashtu siç e kishte shfrytëzuar edhe vetë Enver Hoxha luftën antifashiste, pas së cilës e mori pushtetin siç thoshin “me armë e kemi marrë pushtetin popullor dhe me armë do ta mbrojmë atë”. Por, tani enveristët (e riformatuar), përmes pushtetit, u tjetërsuan në aristokracinë e re dhe po vazhdojnë ta mbajnë nën kontroll sistemin e ri të krijuar nga ata, me gazetarë, analistë, profesorë, historianë e akademikë oborrtarë të tyre, përmes të cilëve po retushojnë të kaluarën dhe po legjitimojnë veten si e ardhmja e vendit.
Enverizmi duke qëndruar gjatë në pushtet, në formën e tij më të ashpër dhe më pas në formën e butë (demokratike), vazhdon të sundojë në hapësirat shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Metastazimi i tyre ka qenë i lehtë si pasojë e eliminimit të elitës intelektuale dhe prodhimi i intelektualëve me diploma, por pa guxim që ta kundërshtojnë pushtetin. Ata, duke e shitur veten, i shitën edhe interesat e kombit. Noli në poezinë e tij thotë: “Skllevër, bij skllevërish e meritoni, se liri s’doni”.
Dikur ishin shërbimet UDB-ja në Jugosllavi ose Sigurimi në Shqipëri si ndërmjetës mes njerëzve që i shërbenin pushtetit, ndërsa tani shërbimi ndaj pushtetit bëhet pa ndërmjetësit e mëhershëm, sepse pushteti – përmes parave publike – i blen intelektualët, gazetarët, deri edhe klerin, me të cilët krijojnë opinionin publik për Partitë. Ndryshimi qëndron vetëm në trajtimin e armiqve. Atëherë të vrisnin ose të fusnin në burg, ndërsa sot të lënë në hije dhe mundohen të ta ngushtojnë sa më shumë rrezen e veprimit.
Si rezultat i kësaj forme të presionit, njerëzit që nuk i nënshtrohen këtij sistemi, vazhdojnë të largohen për në vendet e Europës Perëndimore, ku u jepet mundësia për të jetuar me dinjitet dhe me mirëqenie, që të mos jenë peng i antivlerave të instaluara nga sistemi.
Çlirimi nga neokomunistët mund të ndodhë vetëm me integrimin e plotë të vendeve tona në Bashkimin Europian, ku detyrimisht do të zbatohen rregullat dhe sistemi i drejtësisë do jetë funksional. Kjo është arsyeja që tranzicioni në vendeve tona po zgjat sa jeta jonë, sepse pushtetarët tanë e zvarritën këtë proces me qëllim që ata ta kenë më të lehtë ruajtjen e pushtetit, përmes të cilit po na e zhvatin pasurinë publike, na e shkatërruan arsimin, na e degjeneruan besimin, na e vranë shpresën, na e shkelën dinjitetin, gjithë kjo me mbështetjen e mentalitetit të populli që dikur festonte në paradat e 1 Majit.
Prandaj, vetëm duke u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, rinia e dekontaminuar mund ta çlirojë shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve, sepse duke i përqafuar vlerat perëndimore, do të mund ta luftojmë sistemin e të keqes dhe kjo mund të na mbrojë nga çmenduria kolektive e popullit të paradave që e mbështet gjithmonë pushtetin. /revistashenja