Jobesimtarët deshën ta poshtërojnë Muhamedin a.s. duke planifikuar mbytjen e tij, ose së paku përzënien e tij me nënçmim, mirëpo Allahu i Madhërishëm nuk lejoi një gjë të tillë, prandaj e nxori nga vendlindja e tij krenar dhe e ktheu aty pas disa viteve ngadhënjyes.
Kjo ndodhi pasi që me emër të Krijuesit, Muhamedi a.s. dhe shokët e tij, plotësuan kushtëzimin hyjnor, që nënkupton se; iu përmbajtën në plotni mësimeve hyjnore të Zotit Fuqiplotë, dhe duke përmbushur të gjitha shkaqet tokësore. Ata fituan sepse u angazhuan dhe sakrifikuan maksimalisht në të gjitha aspektet për hir të Zotit, prandaj Ai i bëri shkaktar që në kohën e tyre të fitoj Islami edhe praktikisht.
Nëse ne dëshirojmë fitore, atëherë duhet që angazhimi dhe sakrifica jonë të jetë maksimale për hir të Zotit, përndryshe, aq sa po sakrifikojmë, aq edhe po fitojmë. Kjo nënkupton që pak po sakrifikojmë, prandaj edhe pak po fitojmë. Nuk po plotësojmë sa duhet kushtëzimin hyjnor për të ngadhënjyer, prandaj le të jetë Hixhreti shembulli më i mirë për të marrë mësim, se si duhet siguruar ndihmën e Allahut xh.sh. dhe fitoren e Tij.
Ai lidhur me fitoren e madhe të Hixhretit tha: “(Allahu) E bëri e fjalën (veprimet) e jobesimtarëve më të poshtëruaren, kurse Fjala (Islami) e Allahut është më e lartësuara (gjithmonë)” (Et-Tevbe, 40)
Zoti i botëve ka garantuar fitoren e Fjalës së Tij, si me ne, e si pa ne, ajo do fitojë, prandaj është më mirë të bëhemi pjesë e kësaj fitoreje të madhe të vlerave hyjnore.
Fito ndaj çdo të keqe dhe ndaj të gjitha dukurive negative!
Fito ndaj urrejtjes me dashuri, fito ndaj dhunës me paqe, fito ndaj injorancës me dituri, fito ndaj koprracisë me bamirësi, fito ndaj mendjemadhësisë me modesti, fito ndaj inatit me bujari, fito ndaj padrejtësisë me drejtësi!
Fitorja e tillë i sjellë botës dhe njerëzimit qetësi dhe drejtësi të plotë.
Urime Viti i Ri sipas kalendarit Islam – hyjnor!
Paqja dhe mëshira e Zotit të Madhërishëm qoftë mbi ju!
Prof. Adnan Simnica