Plogështia

Plogështia është një nga lëngatat me pasojat më të rënda dhe më të rrezikshme për aktivistët muslimanë dhe për mbarë shoqërinë. Aktivistët e sprovuar me këtë lëngatë duhet të përpiqen fort me veten e tyre, që të shpëtojnë menjëherë nga kjo lëngatë, të pastrohen dhe të ruhen prej saj. Në mënyrë që kjo temë të jetë sa më e qartë dhe gjithëpërfshirëse, do ta trajtojmë atë si në vijim.

Kuptimi i fjalës “El- Futûr – Plogështi”
Në kontekst të temës që do të trajtohet, me termin “Plogështi” nënkuptohet: “Ngathtësia dhe dembelizmi në ftesën islame, sidomos pas një periudhe aktivizimi të gjallë”. Dihet se plogështia mund të prekë – madje i ka prekur realisht – disa ftues muslimanë. Treguesit më minimalë të kësaj lëngate janë: dembelizmi, demoralizimi, përtacia dhe neglizhenca, ndërsa simptomat më akute të saj janë: shkëputja totale nga daveti (ftesa islame) dhe mungesa e dëshirës për të vazhduar në këtë rrugë.

Allahu i Madhëruar thotë për engjëjt: “Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për ta adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, pa ndërprerë”[1] Kuptimi i këtij ajeti është: “Engjëjt janë vazhdimisht në adhurim ndaj Allahut: e madhërojnë Atë, nuk i përshkruajnë atë që nuk i shkon Madhështisë së Tij, luten pa ndërprerë, e përmendin Atë ditën dhe natën, pa u plogështuar, pa u demoralizuar, pa ndjerë lodhje, mërzi, apo bezdisje”.(6)

Gjykimi sheriatik për plogështinë
Plogështia është gjendje pasive që e prek njeriun dhe në varësi të dëmit dhe dobisë që sjell jepet edhe gjykimi përkatës. Nëse një person tregohet i plogësht ndaj haramit, pra pasiv dhe nuk i afrohet harameve, apo tregohet i plogësht në raste sprovash, duke mbajtur qëndrim pasiv dhe jo nxitës, atëherë kjo lloj plogështie është e lavdëruar. Abdullah ibn Amri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo gjë (punë, adhurim, përpjekje, gjë e papëlqyeshme) ka vrullin (majën) e saj dhe pas çdo vrulli vjen plogështia. Kushdo që i përmbahet sunetit tim në raste plogështie, ai ka shpëtuar, kushdo që ndjek rrugë tjeër, ta dijë se ka devijuar”

Kur muslimani tregohet i plogësht në kërkimin e diturisë, në kryerjen e adhurimeve, në përmbushjen e detyrimeve që i takojnë, në fushën e ftesës për tek Allahu i Madhëruar etj, atëherë ai ka rënë në mëkat. Jo vetëm kaq, por në raste të tilla, plogështia konsiderohet si një nga cilësitë e hipokritëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t`u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak”[2]

III. Simptomat e plogështisë

1- Pandjeshmëria e zemrës

Kur muslimani preket nga plogështia, zemra e tij fillon të ngurtësohet pak e nga pak, nuk merr mësim nga këshilla kur i jepet, nuk i zbutet zemra kur shikon sprovat që i kanë rënë dikujt, nuk ndikohet nga leximi i Kuranit, nuk përjeton asnjë ndijesi kur mbart mbi supe xhenazen dhe as kur viziton varret.

2- Ngushtimi i kraharorit dhe largimi nga njerëzit

Personi i prekur nga kjo lëngatë vuan nga stresi, ankthi dhe ngushtimi i kraharorit. Ai është një person impulsiv, zemërohet shpejt me ata që ka përreth, nuk i duron dot, ndjen neveri nga veprimet e tyre, ankohet për veprimet e tyre, aq sa mund të shkojë në vetëmbyllje dhe vetmi.

3- Kryerja e adhurimeve me përtesë

Një personi i prekur nga lëngata e plogështisë ngadalë shkon drejt largimit nga Allahu i Madhëruar. Kështu, adhurimet i duken të rënda, tregohet neglizhent në kryerjen e tij, nuk ndjen pikëllim dhe brengë kur i kalon një adhurim pa e kryer, nuk merr pjesë në adhurimet që bëhen me xhemat, kur kryen një adhurim e kryen atë formalisht pa shprit dhe jetë: namazin e fal pa përkushtim, Kuranin e lexon pa meditim, dhikrin e bën si diçka rutinë, ndërsa lutjet i ka vetëm sa fjalë gjuhe pa e përfshirë zemrën asapk në to.

4- Shpërfillja e gjërave të papëlqyeshme

Ai që preket nga lëngata e plogështisë i shpërfill edhe gjërat e papëlqyeshme. Kështu, ai mbyll sytë para atyre që bëjnë gjërat të tilla, apo nuk e konsideron si mëkat zhytjen në tom, madje mund të bëhet shkak për lehtësimin e rrugës për kryerjen e e mëkateve të mëdha.

5- Mungesa e xhelozisë për ndalesat

Muslimani është xheloz për ato gjëra që i ka ndaluar Allahu, prandaj nuk u afrohet dhe as nuk qëndron duarlidhur para atyre që i cenojnë ato. Zjarri i xhelozisë për moscënimin e harameve buron nga vatra e besimit, mirëpo ai që preket nga plogëshita, ky zjarr fillon dhe i shuhet. Në çastin që ky zjarr shuhet, personi jo vetëm që nuk i ndalon më të tjerët, por edhe vetë bie në lakun e harameve. Gjendja mund të shkojë deri aty sa një person i prekur nga kjo lëngatë ta konsiderojnë të pavërtetën si të vërtetë, të vertetën si të pavërtetë, të mirën si e keqe dhe të keqen si të mirë, haramin si hallall dhe hallallin si haram.

6-Shkërmoqja e lidhjeve vëllazërore

Dihet se besimi është gjeneratori i lidhjeve vëllazërore. Në momentin që zemra e njeriut bëhet e pandjeshme, vuan nga ankthi dhe stresi, shpërfill haramin dhe gjërat e papëlqyeshme, atëherë plogështohet dhe fillon të distancohet edhe nga vëllezërit e tij. Kështu, nuk ka më vizita shoqëore, as dua për njëri-tjetrin, as vizita në raste sprovash, as ndihmë dhe përkrahje, as selam dhe as fjalë, as interesim për çështje të muslimanëve etj. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur dy veta e duan njëri-tjetrin për hatër të Allahut apo në Islam dhe më pas ndahen, ta dinë se janë ndarë për shkak se njëri prej tyre ka bërë një mëkat”

Shkaqet e plogështisë
1- Ekstremizmi i theksuar në fe

Në disa raste, shkaku i plogështisë është zhytja në adhurime, duke privuar kështu të drejtën e trupit për pushim dhe përfitim nga të mirat e Allahut të Madhëruar. Një gjendje e tillë çon në dobësi, lodhje dhe bezdi. Rrjedhimisht kjo gjë pasohet nga shkëputja dhe braktisja e këtyre adhurimeve. Jo vetëm kaq, por një gjendje e tillë ekstreme bëhet shkak për ndjekjen e një rruge totalisht të ndryshme nga rruga e ndjekur më parë. Kështu, ftuesi musliman kalon nga një ekstrem tek tjetri, nga shtrëngimi në shfrenim. Në të vërtetë, kjo është një pasojë e natyrshme, pasi mundësitë e njeriut janë të kufizuara. Kur njeriu i kalon kufijtë e mundësisë së tij, ai lodhet dhe kalon në plogështi, duke u prekur kështu nga dembelizmi, apo duke u shkëputur totalisht nga rruga e ftesës. Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami ka paralajmëruar ashpër dhe e ka ndaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekstemizmin dhe ashpërsinë në fe. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ruhuni nga teprimi (ekstremizmi) në fe, pasi ata që kanë qenë para jush, janë shkatërruar pikësisht nga teprimi (ekstremizmi) në fe” “Me të vërtetë kjo kjo fe është e lehtë, prandaj kush mundohet t`ia vështirësojë fenë vetes, ajo do ta shtypë (nuk do të ketë mundësi ta vazhdojë më)”.(17) Enes ibn Maliku (r.a) tregon: “Tre persona shkuan tek shtëpitë e grave të Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe i pyetën për adhurimin që bënte i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) në fshehtësi, mirëpo kur u treguan, atyre iu duk se ai (Paqja qoftë mbi të) bënte pak adhurim, prandaj thanë: “Ku jemi ne me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të), kur dihet se Allahu ia ka falur atij të gjitha mëkatet – të parat dhe të fundit”. Njëri prej tyre tha: “Unë do të agjëroj gjithë jetën dhe nuk do të ha kurrë (gjatë ditës)”. Tjetri tha: “Unë do të falem çdo natë dhe nuk do të fle asnjëherë (gjatë natës)”. I treti tha: “Unë nuk do të martohem kurrë”. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i dëgjoi këto fjalë të tyre, u tha: “A ju jeni ata, që keni thënë kështu e ashtu?! Betohem në Allahun, se unë jam ai që e ka më shumë frikë Allahun dhe jam më i përkushtuari ndaj Tij, mirëpo unë agjëroj dhe ha, falem por edhe fle, si dhe jam i martuar. Kush refuzon rrugën (Sunetin, traditën) time, nuk është prej meje” I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Bëni aq adhurime sa keni mundësi, pasi Allahu nuk bezdiset, përderisa ju nuk shprehni bezdi. Dijeni, se puna më e dashur tek Allahu është ajo që kryhet vazhdimisht, edhe nëse është e paktë”.(20)

2- Teprimi në konsumimin e të mirave

Kur muslimani e tepron me konsumimin e të mirave, shëndoshet dhe pushtohet nga epshet. Kjjo i shkakton trupit plogështi, dembelizëm, mungesë vullneti, e bëjnë të jetë pasiv në punën e tij edhe nëse nuk shkëputet totalisht prej saj. Ndoshta ky është sekreti, se përse Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij (Paqja qoftë mbi të) e kanë ndaluar shpërdorimin dhe kanë paralajmëruar për rrezikun e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni me hijeshi kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë”[3] I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ena më e keqe që mbush njeriu, është barku i tij…”

Selefët e kanë kuptuar mirë dëmin, që sjell shpërdorimi dhe teprimi në konsumimin e gjërave të lejuara, madje kanë paralajmëruar këdo që shpërdoron. Aishja (r.a) ka thënë: “Sprova e parë që i ka ndodhur këtij Umeti – pasi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ndërroi jetë – ishte – ngopja. Kur njerëzit mbushën barqet, trupat e tyre u shëndoshën, zemrat e tyre u dobësuan dhe epshet e tyre morën vrull”

Umer ibn Hattabi (r.a) ka thënë: “Ruhuni nga zhytja në ushqim dhe pije (konsumin pa kriter të tyre), pasi kjo gjë ju shkatërron trupin, ju sjell sëmundje dhe ju bën përtacë për faljen e namazit. Jini të ekuilibruar në konsumimin e ushqimit dhe pijeve, pasi kjo gjë është më e dobishme për trupin dhe kështu shmanget edhe shpërdorimi me to. Allahu i Madhëruar e urren atë, që është i ditur dhe i dhajmosur. Njeriu do të shkatërrohet, atëherë kur do t`i japë përparësi epshit para fesë së tij”

3- Shkëputja nga xhemati dhe dhënia përparësi jetës individuale apo vetmisë

Dihet se rruga e ftesës islame është shumë e gjatë dhe ka etapa të shumta. Përgjatë kësaj rruge hasen pengesa të shumta, prandaj besimtari ka nevojë për rigjallërim të energjive. Nëse ai e vazhdon këtë rrugë me xhematin, do ta gjejë veten gjithmonë aktiv e të gjallë, me vullnet të fortë dhe vendosmëri të sinqertë. Mirëpo nëse shkëputet dhe largohet nga xhemati, ai do të humbasë burimin kryesor që i jep gjallër dhe që ia ia forcon vullnetin, ia motivon shqetësimet dhe ia kujton Zotin. Kur ftuesi e humbet këtë burim, atëherë molepset dhe bezdiset, rrjedhimisht tërhiqet dhe ngadalëson hapat – edhe nëse nuk shkëputet nga kjo rrugë.

Ky mund të jetë edhe sekreti se përse Islami i ka kushtuar rëndësi qëndrimit me xhematin – duke e theksuar fuqimisht këtë gjë -, ashtu siç ka paralajmëruar ithtarët e tij që të mos ndahen nga xhemati dhe të mos largohen prej tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani”[4] “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi”[5] “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t`ju lërë fuqia”[6]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Përmbajuni xhematit dhe ruhuni nga përçarja. Dijeni se shejtani qëndron me atë që është vetëm, ndërsa kur janë dy veta, ai është më larg tyre. Kush dëshiron që të jetë në mes të Xhenetit, le të qëndrojë me xhematin.” “Kush ndahet një pëllëmbë nga xhemati i muslimanëve, e ka hequr hallkën e Islamit nga qafa e tij” “Besimtari, i cili qëndron dhe përzihet me njerëzit dhe duron të keqen e tyre, ka shpërblim më të madh se ai besimtar, i cili nuk qëndron me njerëzit dhe nuk e duron të keqen e tyre”

Selefët e këtij Umeti e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje, prandaj nuk janë shkëputur nga xhemati, duke nxitur edhe muslimanët që të mos shkëputen prej tij, madje e kanë theksuar këtë gjë me forcë. Aliu (r.a) ka thënë: “Turbullira e xhematit është më e mirë se kthjelltësia e individit”

4- Kujtimi i paktë i vdekjes dhe botës tjetër

Përkujtimi i paktë i vdekjes dhe botës tjetër çon në demoralizimin e vullnetit, në dobësinë e vendosmërisë, në ngadalësimin e aktivitietit dhe dinamikës, madje mund të çojë në ndërprerje dhe shkëputje totale nga puna islame. Ndoshta nën dritën e këtij realiteti ne kuptojmë urtësinë, se përse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) urdhëroi që të vizitohen varrezat, megjithëse më parë e kishte ndaluar një gjë të tillë, madje i kishte paralajmëruar ashpër ata që vizitonin varret. Ai (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ju pata ndaluar nga vizita e varreve, por tani e tutje vizitojini ato, pasi aty merrni mësim”

Gjithashtu, ky fakt na bën të kuptojmë më së miri nxitjen e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), që ta kujtojmë sa më shpesh vdekjen dhe fundin tonë. Abdullah ibn Mesudi (r.a) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u tha shokëve të tij: “Kini turp prej Allahut, ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij”. Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi turp prej Allahut dhe e falënderojmë Atë”. Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Nuk është turpi kjo gjë që thoni ju. Turpi i vërtetë është: të ruash kokën me të gjitha shqisat e saj, të ruash barkun dhe të gjitha organet e trupit, të kujtosh vdekjen dhe eshtrat e tua, kur do të bëhen pluhur. Kush dëshiron të fitojë Ahiretin, e braktis luksin e kësaj jete. Kush i bën këto, le ta dijë, se është turpëruar para Allahut”

5- Neglizhimi në punët që kryhen gjatë ditës dhe natës

Një nga faktorët e plogështisë është neglizhimi në detyrat që kryhen gjatë ditës dhe natës. Kështu, dikush fle gjatë kohës kur falet namazi farz, për shkak se e ka kaluar natën zgjuar dhe pa ndonjë shkak të justifikuar. Dikush tjetër neglizhon faljen e namazeve sunet të rregullta, faljen e namazit të natës, apo të namazit të duhasë, apo neglizhon leximin e përditshëm të Kuranit, neglizhon dhikrin, duanë, Istigfarin. Dikush tjetër neglizhon vajtjen në xhami, nuk merr pjesë në faljen e namazit me xhemat, e braktis atë pa pasur arsye, etj. Të gjitha këto – dhe të ngjashmet me to – janë pengesa në rrugën islame dhe rezultati minimal i këtyre pengesave është plogështia, që vjen si pasojë e dembelizmit dhe përtacisë, ndërsa këto çojnë në frenimin apo shkëputjen nga aktiviteti islam. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka vënë në dukje këto pengesa dhe shkakun e tyre. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shejtani lidh tre nyje në qafën e çdonjërit prej jush, kur ju jeni në gjumë. Sa herë që lidh një nyje, ai thotë: “Qoftë natë e gjatë për ty! Fli sa më rehat”. Kur njeriu zgjohet dhe e përmend Allahun, zgjidhet nyja e parë. Nëse ai merr abdes, zgjidhet nyja e dytë. Nëse ai falet, atëherë zgjidhen të gjitha nyjet. Kështu (besimtari ose besimtarja) është aktiv (i gjallë dhe i zellshëm) gjatë gjithë ditës dhe shpirtërisht i qetë. Në të kundërt (nëse nuk zgjohet, nuk merr abdes dhe nuk falet), ai zgjohet i demoralizuar shpirtërisht dhe përtac”

6- Të ushqyerit me haram apo me gjëra të dyshimta

Neglizhenca dhe mos kryerja e punës së përditshme dhe të domosdoshme për fitimin e bukës së gojës mund të jetë shkaku se përse një person ushqehet me haram. Një shkak tjetër i përvetësimit të haramit është edhe përfshirja e individit në gjëra, të cilat në Sheriat emërtohen me termin “Shubhe – e dyshimtë”, ashtu siç ka edhe shkaqe të tjera.

Zoti i Madhëruar i ndëshkon veprime të tilla. Ndëshkimi më i paktë në këtë jetë është plogështia – duke mos kryer adhurimet -, ose dembelizmi dhe përtacia, gjë që e bën njeriun të mos ndjejë kënaqësi për t`u falur natën dhe të mos i përjetojë përgjërimet ndaj Allahut të Madhëruar.

Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami nxit në fitimin e ushqimit hallall dhe kujdesin maksimal në përzgjedhjen e hallallit, duke u larguar nga harami, apo nga ai ushqim, rreth të cilit ka qoftë edhe një fije të vogël dyshimi. Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur” [7]“Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë”[8]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo trup që ushqehet me haram, do të digjet nga zjarri i Xhehenemit” “Hallalli është mëse i qartë dhe harami është mëse i qartë, ndërsa mes hallallit dhe haramit ka gjëra të dyshimta. Kush i braktis gjërat e dyshimta për të mos bërë mëkat, patjetër duhet të shmangë atë që është qartësisht e ndaluar. Kush guxon të bëjë një nga gjërat e dyshmita, ka të ngjarë të bëjë edhe ato që janë qartësisht të ndaluara. Mëkatet janë livadhet e Allahut. Kushdo që kullot afër livadheve (zonave të ndaluara të Allahut), ka të ngjarë të futet në të në çdo moment” “Braktise atë gjë që të turbullon (që të fut në dyshime) dhe bëj atë që të qetëson”.(45)

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i edukonte praktikisht muslimanët që të mos i afrohen haramit. Në një rast, ai (Paqja qoftë mbi të) gjeti një kokërr hurmë në rrugë, mirëpo nuk e hëngri dhe tha: “Kam frikë se është nga hurmat që jepen sadaka (apo zekat), përndryshe do ta haja” Këtë rrugë dhe metodë kanë ndjekur selefët e këtij Umeti, të cilët kontrollonin me imtësi dhe kujdeseshin në përzgjedhjen e çdo gjëje, që kishte lidhje me jetën e tyre të përditshme, si: ushqimi, pija, veshja, mjeti i transportit, etj. Nëse ata gjenin apo binin në kontakt me diçka, që mbartte qoftë edhe një fije të vogël dyshimi, i largoheshin asaj, nga frika se do të binin në haram dhe për rrjedhojë do të prisheshin zemrat e tyre, do të privoheshin nga puna e mirë, apo do të bënin punë të mira që nuk do t`iu pranoheshin. Aishja (r.a) tregon: “Ebu Bekri (r.a) kishte punësuar një djalosh (apo kishte një skllav që punonte), i cili ia sillte fitimet (para ose ushqime) dhe Ebu Bekri (r.a) hante nga ajo që i sillte djaloshi. Një ditë djaloshi i solli diçka dhe Ebu Bekri (r.a) e hëngri. Djaloshi i tha: “A e di se si është fituar ajo që hëngre”? Ebu Bekri (r.a) ia ktheu: “Si është fituar”? Djaloshi i tha: “Kur kam qenë në periudhën paraislame, i kam bërë fall një personi, mirëpo unë nuk dija të shtija fall, por e mashtrova dhe ai më dha diçka si shpërblim. Ti sapo e hëngre atë, që ai më pati dhënë si shpërblim”. Ebu Bekri (r.a) futi dorën (gishtat) në gojë dhe volli çdo gjë që kishte në bark”

7- Kufizimi vetëm në një aspekt të fesë

Disa aktivistë muslimanë kufizohen dhe merren vetëm me një aspekt të fesë, duke e përqendruar aktivitetin e tyre vetëm në atë fushë, si për shembull në fushën e besimit, duke braktisur çdo aspekt tjetër të Islamit nga mendja e tyre, apo të gjithë preokupimin e tyre ia kushtojnë riteve të adhurimit (ibadeteve), duke braktisur të gjitha aspektet e tjera, apo angazhohen vetëm me bamirësi, apo kultivojnë vetëm etikat dhe moralet shoqërore, duke përjashtuar nga lista e tyre aspektet e tjera të Islamit.

Nuk ka dyshim, se për të gjithë ata që veprojnë në këtë mënyrë, do të vijë një kohë, ku ata do të plogështohen dhe demoralizohen… Kjo gjë është mëse e natyrshme, duke ditur se feja e Allahut të Madhëruar i përfshin të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Për këtë arsye, nëse dikush i përkushtohet vetëm një aspekti, sikur gjallëron vetëm një pjesë të jetës njerëzore dhe jo të gjithë jetën njerëzore, prandaj në momentin që arrin kulmin e përsosmërisë së këtij aspekti, ai do të pyesë: “Po pas kësaj, çfarë ka”?! Si përgjigje ai do të marrë vetëm plogështinë: ose për shkak të paaftësisë, ose për shkak të përtacisë së tij.

Ky mund të jetë edhe një nga shkaqet kryesore, që ne si muslimanë jemi ftuar, që ta marrim fenë e Allahut në tërësi dhe jo të pjesshme. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar”[9] Kuptimi i këtij ajeti është: “O besimtarë! Zbatojini të gjitha degët e besimit, të gjitha ligjet e Islamit dhe mos i shkoni nga pas shejtanit, pasi ai fsheh në shpirt armiqësi e urrejtje ndaj jush dhe për rrjedhojë ju largon tërësisht nga feja e Allahut, apo ju largon nga një pjesë e saj. Kështu do t`ju prekë plogështia dhe demoralizimi, do të devijoni dhe humbni nga rruga e drejtë.

8- Anashkalimi i ligjeve të Allahut të Madhëruar

Ne kemi konstatuar se një grup aktivistësh muslimanë dëshirojnë ta ndryshojnë të gjithë shoqërinë – pra: idetë, ndjenjat, zakonet, moralet, sistemet shoqërore, politike dhe ekonomike – brenda një dite dhe nate. Ata pretendojnë, se do ta arrijnë këtë me metoda dhe mekanzima, të cilat në realitet janë më tepër iluzione dhe imagjinata, sesa të vërteta dhe reale. Atyre nuk u mungon trimëria dhe guximi, sakrifikojnë edhe gjënë më të shtrenjtë, nuk e kanë frikë vdekjen kur shkojnë drejt saj, apo kur ajo shkon drejt tyre, nuk u interesojnë pasojat që mund të sjellin veprime të tilla – pa marrë parasysh se sa të rënda janë -, përderisa nijeti i tyre është i pastër dhe vetëm për Allahun. Objektivi i tyre i vetëm është lartësimi i Fjalës së Allahut, mirëpo ata nuk i marrin aspak parasysh ligjet, që Allahu ka vendosur në univers dhe në jetën shoqërore (ligjet fizike, natyrore dhe shoqërore).

Është e domosdoshme që gjatë punës islame të ruhet ligji i gradualitetit, të kuptohet se fitorja i përket atij që është më i devotshëm. Nëse nuk ka njerëz të devotshëm, atëherë fitorja i përket atij që është më i fortë, duke ditur se për çdo gjë ka një afat, që as nuk afrohet, as nuk largohet… Nëse aktivistë të tillë nuk zbresin me këmbë në tokë, nuk jetojnë me përditshmërinë dhe realitetin, do të marrin atë që nuk e kanë shpresuar, atë që nuk e kanë dashur dhe atë që nuk e kanë synuar me aktivitetin e tyre. Për rrjedhojë, ata do të demoralizohen, do të preken nga përtacia, plogëshita, neglizhenca, ose nga humbja e dëshirës për punë, madje mund të shmangen përfundimisht prej saj.

9- Stërmundimi fizik dhe psikologjik

Kemi parë aktivistë, të cilët shpenzojnë çdo gjë që kanë – mundin, kohën dhe energjinë e tyre – në shërbim të kësaj feje madhështore. Ata kanë vendosur ta lodhin veten duke e ngarkuar atë me përgjegjësi dhe me detyre të shumta, duke u mjaftuar vetëm me fare pak pushim dhe prehje, me pretekstin se nuk ka shumë aktivistë. Individë të tillë dhe të ngjashëm me ta, megjithëse mund t`i justifikojnë sjelljet e tyre me punët e mëdha, me detyrat e shumta dhe numrin e paktë të aktivistëve, herët apo vonë do të preken domosdoshmërisht nga plogështia. Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka kushtuar rëndësi të veçantë të drejtës së trupit (vetes), pa marrë parasysh pretekstet apo justifikimet që mund të nxjerrë dikush.

Ai (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ndaj Zotit tënd ke detyrime, ndaj vetes ke detyrime, ndaj familjarëve ke detyrime, prandaj shlyeje detyrën përkatëse ndaj secilit prej tyre” “Ndaj trupit tënd ke detyrim, ndaj syrit tënd ke detyrim, ndaj gruas (familjes) tënde ke detyrim, ndaj mikut ke detyrim”.(50)

10- Mungesa e përgatitjes së duhur

Disa aktivistë e fillojnë rrugëtimin e tyre të ftesës islame, pa marrë në konsideratë pengesat e saj, siç mund të jenë: bashkëshortja, fëmijët, pasuria, sfidat e ndryshme, sprovat etj. Disa të tjerë kanë gatishmëri, por u mungon përgatitja e duhur, prandaj mund të përplasen me këto pengesa – apo me njërën prej tyre – përgjatë rrugëtimit. Kur ata përplasen me këto pengesa, nuk arrijnë t`iu bëjnë ballë atyre, prandaj preken nga demoralizimi, nga përtacia apo nga plogështia, madje mund të shkëputen totalisht nga aktiviteti islam. Kurani Fisnik na ka paralajmëruar vazhdimit për pengesat e shumta përgjatë rrugës. Ndoshta kjo tërheqje vëmendjeje është sekreti, se përse Kurani e thekson me forcë dhe herë pas here rrezikun e këtyre pengesave. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë. Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh”[10]

11- Shoqërimi me individë me vullnet të dobët

Mund të ndodhë që aktivisti musliman të shoqërohet me individë apo grupe individësh me famë dhe ndikim në shoqëri, në mënyrë që të jetë sa më afër tyre dhe të jetojë në shoqërinë e tyre. Ai do të konstatojë se individë të tillë nuk punojnë aspak dhe e kalojnë kohën kot, pasi janë totalisht të plogështuar. Indivdëve të tillë u shkon për shtat proverbi: “U drodh mali dhe polli një mi”. Nëse aktivisti musliman do të qëndrojë me ta, nuk ka dyshim se do të infektohet prej tyre, ashtu si zgjebja që pushton lëkurën e njeriut. Thënë shkurt, një aktivist i tillë do të preket nga plogështia dhe dembelizmi. Nga këtu kuptohet edhe sekreti, se përse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka theksuar me forcë domosdoshmërinë e përzgjedhjes së shokut. Ai (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Njeriu i përngjason në sjellje atij, me të cilin qëndron (shokut), prandaj kini kujdes me kë shoqëroheni” “Shembulli i shokut të mirë dhe shembulli i shokut të keq është si shembulli i atij që mban parfumin dhe farkëtarit. Ai që prodhon parfumin ose të lyen me të, ose ta shet, ose prej tij nuhat vetëm erë të mirë. Përsa i përket farkëtarit që i fryn zjarrit (në punishten e tij), ose të djeg rrobat nëse i rri afër, ose do të ndjesh kundërmim tepër të rëndë (prej tij)”

12- Spontaniteti në punë

Është konstatuar se shumë aktivistë – individë qofshin apo xhemate – punojnë për fenë e Allahut në mënyrë krejt spontane: nuk ndjekin një metodologji në punën e tyre, nuk ndjekin rregulla dhe nuk njohin rregulla, u japin përparësi punëve dytësore apo të parëndësishme, i vendosin çështjet kryesore në fund të listës, madje në shumë raste i neglizhojnë totalisht ato, duke harruar që këto çështje janë jetike dhe të domosdoshme për fuqizimin e fesë së Allahut të Madhëruar etj.

Spontaniteti e zgjat rrugëtimin e ftesës islame, duke ia shtuar asaj përgjegjësitë, detyrat dhe sakrificat, madje plogështia mund të hedhë rrënjë në punën islame, nëse nuk ndërhyn përkujdesja hyjnore dhe ndihma e Allahut të Madhëruar, të cilat garantojnë qëndrueshmëri për aktivistin musliman dhe punën islame. Duke patur parasysh këtë, ne kuptojmë edhe sekretin e porosisë që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ia dha Muadh ibn Xhebelit (r.a), kur e nisi për në Jemen: “Ti do të shkosh tek një popull, që janë ithtarë të Librit, prandaj gjëja e parë që do të bësh, është t`i ftosh se: nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut. Nëse ata e pranojnë këtë, atëherë mësoju atyre, se Allahu u ka bërë detyrë të japin Zekat nga pasuria e tyre, e cila u merret të pasurve (të muslimanëve) dhe u kthehet (u jepet) të varfërve të tyre. Mos u merr pasurinë më të mirë si zekat. Ruhu nga lutja e atij që i bën padrejtësi, pasi mes lutjes së tij dhe Allahut nuk ka asnjë pengesë” Ky hadith është një rregull themelor në metodologjinë e punës, për punën e strukturuar dhe për përsosmërinë e saj.

13- Rënia në mëkate dhe nënvlerësimi i tyre

Kur muslimani bie në mëkate, detyrimisht do të plogështohet. Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë”[11]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë gjithashtu:“Ruhuni nga mëkatet që i nënvlerësoni, pasi ato do të mblidhen aq shumë, sa do t`ju shkatërrojnë”. Për të vënë në pah rrezikun e mëkateve, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na sjell një shembull në vazhdim të po këtij hadithi: “… ashtu si shembulli i disa njerëzve, që fushuan në një vend në shkretëtirë dhe me vete kishin ushqim (që duhej të gatuhej). Dikush sillte një shkarpë, dikush tjetër një shkarpë tjetër, aq sa bënë një turrë me dru. Ata ndezën zjarrin me to dhe poqën gjërat që futën në të”

Pasojat e plogështisë
Plogështia ka pasoja tepër të rënda dhe shkatërrimtare, si për aktivistët e punës islame, ashtu edhe për vetë punën islame.

a) Pasojat e plogështisë tek aktivistët muslimanë
Një pasojë negative e plogështisë është pakësimi i adhurimeve, madje ka të ngjarë që ndonjëri të ndërrojë jetë, duke qenë i plogësht dhe dembel, duke e takuar në këtë gjendje të mjerë Allahun e Madhëruar.

Në mënyrë që muslimanët të mos bien në një nivel të tillë, i Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka nxitur ata që t`i luten vazhdimisht Allahut të Madhëruar që t`i ruajë nga gjendje të tilla. Disa nga këto lutje janë: “O Allah! Më ruaj nga stresi dhe mërzia, nga paaftësia dhe dembelizmi, nga frika dhe kopracia, nga borxhet mbytëse dhe nga nëpërkëmbja e zullumqarëve” “O Allah! Bëjë pjesën më të mirë të jetës time fundin e saj, bëje punën time të fundit të jetë fitimi i kënaqësisë Tënde. Bëje ditën time më të mirë, atë ditë kur do të takoj Ty” “O Allah! Bëjë fundin e jetës time pjesën më të mirë të saj. Bëj që punët e fundit të mia të jenë më të mirat që kam bërë. Bëje ditën time më të mirë, atë ditë kur do të takoj Ty”

Një nga përgëzimet, që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka bërë Umetit të tij, është edhe hadithi: “Kur Allahu ia do të mirën një robi, e përdor atë”. Dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Po si e përdor Allahu atë”? Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ia bën të mundur, që të bëjë punë të mira, para se të vdesë” I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë gjthashtu:“Një rob bën vepra që meritojnë ndëshkimin e tij në Xhehenem, mirëpo ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit, ashtu siç një rob bën punë që meritojnë shpërblimin me Xhenet, mirëpo ai do të jetë nga banorët e Xhehenemit. Llogaria e veprave do të bëhet sipas veprave të fundit që ka bërë njeriu”.(67)

Sahabët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) e përjetonin rëndë faktin që nuk kishin mundësi të punonin. Transmetohet se sahabiu i nderuar Abdullah ibn Mesudi (r.a) ka qarë në prag të vdekjes dhe ka thënë: “Po qaj, se vdekja po më gjen në një gjendje qetësie (plogështie) dhe nuk më gjeti, kur isha në gjendje gjallërie (aktiviteti)”Me këtë fjalë nënkuptonte, se sëmundja e ka prekur në kohën, kur trupi i tij kishte rënë në në lloj plogështie dhe kishte pakësuar adhurimet e përpjekjet për t`u afruar me Allahun e Madhëruar.

b) Pasojat e plogështisë në punën islame
Janë të shumta pasojat negative të plogështisë në punën islame. Prej tyre përmendim: zgjatja e rrugëtimit dhe shtimi i përgjegjësive e sakrificave. Ekziston një ligj i pandryshuar hynjor: “Allahu i Madhëruar nuk ua jep fitoren dhe pushtetin në tokë dembelëve, të shkujdesurve dhe atyre që shkëputen nga puna islame, por ua jep aktivistëve të zellshëm dhe të paepur, të cilët e kryejnë punën në formën më të përkryer, ashtu siç bëjnë edhe Xhihadin në formën më të mirë”. Allahu i Madhëruar thotë: “Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t`ua humbim shpërblimin punëmirëve”[12]

Kurimi nga plogështia
Njohja e mirë e kësaj lëngate dhe e gjykimit islam për të, evidentimi i simptomave të saj, njohja e shkaqeve dhe pasojave të rrezikshme të plotështisë, si për aktivistët muslimanë ashtu edhe për punën islame, e bëjnë më të lehtë mënyrën e kurimit nga kjo lëngatë. Kurimi arrihet, duke ndjekur hapat e mëposhtëm.

1- Largimi nga çdo mëkat

Nuk ka dyshim, se mëkatet ta djegin zemrën dhe ndjellin zemërimin e Allahut, prandaj kush e bën këtë, është totalisht i shkatërruar dhe i humbur. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur”[13] Për të shpëtuar nga pasojat e tyre, muslimani duhet të largohet nga të gjitha mëkatet dhe të këqijat, pa marrë parasysh nëse janë të vogla apo të mëdha.

2- Vazhdimësia në punët e mira gjatë ditës dhe natës

Aktivisti musliman duhet të përpiqet sa më shumë që të bëjë dhikër, të bëjë dua, të përgjërohet me lutje, të kërkojë falje, të lexojë Kuran, të falë namazin e duhasë, të falë namaz nate dhe të bëjë sa më shumë adhurime, sidomos në kohën para agimit. Të gjitha këto janë një gjenerator i mirë i besimtarit, aktivizojnë shpirtin dhe e motivojnë atë, siç ia lartësojnë objektivat dhe ia forcojnë vendosmërinë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai krijoi natën dhe ditën, që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë (Atë)”[14]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse dikush bie në gjumë dhe nuk arrin të mbarojë (lexojë) pjesën e tij të përditshme (nga Kurani), ose një pjesë të tij, mirëpo e lexon atë mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, do të regjistrohet sikur e ka lexuar gjatë natës”

3- Shfrytëzimi i kohëve të volitshme

Shfrytëzimi i kohëve të volitshme me adhurime gjallëron shpirtrat dhe forcon vullnetin. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Jini të ekuilibruar në punët tuaja, mundohuni të bëni më të mirën e tyre. Përgëzohuni me sevapin për punët e mira që bëni. Ju mund t`i arrini këto, duke kryer adhurime në mëngjes, në mbrëmjë dhe në një pjesë të natës”

4- Çlirimi nga ekstremizmi në fe

Çlirimi nga ashpërsia dhe teprimi në fenë e Allahut e gjallëron muslimanin dhe e ndihmon atë, që ta vazhdojë rrugëtimin e tij pa ndërprerje. Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) kishte një hasër, të cilën e merrte në dhomë për namaz nate dhe falej mbi të. Kur e panë njerëzit, filluan të faleshin pas tij. Ai (Paqja qoftë mbi të) e merrte hasrën gjatë ditës dhe ulej mbi të. Një natë, njerëzit u grumbulluan që të faleshin pas tij, por ai (Paqja qoftë mbi të) u tha: “O njerëz! Bëni aq vepra, sa keni mundësi t`i përballoni dhe dijeni se Allahu nuk bezdiset (nga adhurimi juaj), nëse ju nuk bezdiseni. Dijeni se puna më e dashur tek Allahu është ajo që bëhet vazhdimisht, edhe nëse është e pakët në sasi”. Kur familjarët e Muhamedit (Paqja qoftë mbi të) bënin një punë, e bënin atë vazhdimisht (rregullisht)”

Duhet të theksojmë këtu, se çlirimi nga ashpërisa dhe ekstremizmi nuk do të thotë të braktisësh dhe të neglizhosh kryerjen e veprave të mira, por nënkupton të jesh i matur dhe i ekulibruar, duke kryer me rigorozitet atë punë që e bën vazhdimisht – gjithmonë në përputhje me Sunetin profetik. Abdullah ibn Amr ibn Asi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë: “O Abdullah! Mos u bëj si filani, i cili falej natën, ndërsa më pas e la fare namazin e natës”

5- Qëndrimi me xhematin

Përsa i përket rëndësisë dhe vlerës që ka qëndrimi me xhematin duke mos u ndarë për asnjë çast prej tij, ne na mjafton fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Qëndrimi me xhematin është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim”(81); “Dora e Allahut është me xhematin”

6- Marrja në konsideratë e ligjeve hyjnore

Është shumë e rëndësishme, që aktivisti musliman t`i njohë dhe t`i kuptojë mirë ligjet shoqërore dhe kozmike, me të cilat Allahu i Madhëruar ka ndërtuar jetën në gjithësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut”[15] Pra kjo nuk do të thotë, që njeriu të rrijë duarlidhur, por të përpiqet dhe të japë në maksimum mundin njerëzor. Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu bëni! Sikur të donte Allahu, do t`i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t`ju sprovojë juve me njëri tjetrin”[16]

Aktivisti musliman duhet të njohë mirë ligjin e gradualitetit, sidomos në aktivitetin e tij me njerëzit. Aishja (r.a) ka thënë: “Në fillim janë shpallur suret Mufasal (nga Kurani), në të cilat përmendet Xheneti dhe Xhehenemi. Pasi njerëzit u bënë të qëndrueshëm në fe, u shpallën ajetet e hallallit dhe haramit. Nëse do të ishte shpallur qysh në fillim: “Mos pini alkol”, njerëzit do të thonin: “Kurrë nuk e lëmë alkolin”. Nëse do të ishte shpallur qysh në fillim: “Mos bëni imoralitet”, njerëzit do të thonin: “Kurrë nuk do ta lëmë imoralitetin”.

7- Qëndrueshmëria në rrugë

Aktivisti musliman e njeh mirë rrugën që ndjek, i njeh pengesat në të dhe u bën ballë atyre, fiton imunitet ndaj tyre dhe i kapërcen ato, duke mos lënë vend për plogështi apo tërheqje nga kjo rrugë.

8- Saktësia dhe puna metodike

Aktivisti musliman duhet t`i kushtojë rëndësi gjërave parësore, duke i dhënë përparësi asaj që është më e rëndësishme dhe duke mos u përfshirë në beteja për çështjet dytësore dhe të parëndësishme.

9- Shoqërimi me njerëzit e mirë dhe të disiplinuar

Muslimanët e mirë dhe të disiplinuar kanë pastërti shpirtërore, kanë reflektim të mirësisë së zemrës së tyre dhe rrezatim shpirtëror, me të cilat rrëmbejnë dhe tërheqin zemrat e njerëzve. Jo vetëm kaq, por qëndrimi me ta motivon synimet e larta, forcon vendosmërinë dhe saldon vullnetin. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tërheq vëmendjen me fjalët: “A t`ju tregoj se kush janë njerëzit më të përzgjedhur (më të mirë)”? Të pranishmit thanë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut”! Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Njerëzit më të mirë janë ata, të cilët, sapo t`i shikoni ju kujtojnë menjëherë Allahun e Madhëruar”.

10- Përmbushja e nevojave fizike

Muslimani duhet t`i japë trupit të tij të drejtën që i takon, duke ia përmbushur nevojën për: pushim, ushqim, pije dhe argëtim, por gjithmonë në mënyrë të ekuilibruar. Duke vepruar kështu, trupi aktivizohet, i kthehet fuqia dhe gjallëria. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) jepte vazhdimisht këshilla për ruajtjen e trupit dhe shëndetit.

Një herë, ai (Paqja qoftë mbi të) u fut në xhami dhe pa një litar të lidhur mes dy shtyllave të xhamisë”. Ai (Paqja qoftë mbi të) pyeti: “Kush e ka vënë këtu këtë litar”? Të pranishmit i thanë: “E ka vënë Zejnebja, e cila kur lodhet nga adhurimi, kapet tek litari”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Zgjidheni këtë litar. Faluni kur keni fuqi, ndërsa kur jeni të lodhur, atëherë uluni dhe pushoni” Ai (Paqja qoftë mbi të) ka thënë gjithashtu: “Nëse ndonjëri nga ju kotet gjatë faljes, le të shtrihet dhe të flejë, derisa t`i ikë gjumi. Nuk i dihet, ndoshta ndonjëri nga ju falet, duke qenë i kotur dhe mendon se po bën istigfar (kërkon falje), mirëpo mund të shajë (apo mallkojë) veten”

11- Argëtimi me gjëra të lejuara

Aktivisti musliman mund të argëtohet me ato gjëra që janë legjitime, qoftë ky argëtim me bashkëshorten apo fëmijët. Ai mund të bëjë edhe udhëtime apo aktivitete sportive, si kanotazh në lumë, futboll, meditim dhe hulumtim, alpinizëm, patinazh, safari, apo ekspedita, në mënyrë që të praktikohet me gjëra të vështira dhe të fitojë eksperiencë për të përballuar vështirësitë e jetës. Të gjitha këto e largojnë plogështinë, molepsjen dhe rutinën, duke ndihmuar në eliminim e plogështisë dhe dembelizmit. Njëkohësisht, këto e nxisin muslimanin që t`i rikthehet fuqishëm aktivitetit të tij, a thua se ka rilindur, apo trupi i tij është rigjeneruar.

Ebu Ribi`a – Handhale ibn Rib`ia Uesjdi -, një nga sekretarët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) tregon: “Një ditë më takoi Ebu Bekri dhe më pyeti: “O Handhale! Si je”? Unë iu përgjigja: “Handhale është bërë hipokrit (kam frikë se jam bërë hipokrit)”. Ebu Bekri më tha: “I lartësuar qoftë Allahu! Çfarë i ke këto fjalë”! Unë i thashë: “Kur jemi tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), ai na përkujton aq mirë Xhehenemin dhe Xhenetin, aq sa na duket se po i shohim me sy. Mirëpo kur largohemi prej kuvendit të tij, kalojmë kohën (apo angazhohemi) me gratë tona dhe fëmijët tanë, apo me gjënë e gjallë (apo pasurinë) dhe i harrojmë ato fjalë, me të cilat jemi përkujtuar”. Ebu Bekri tha: “Për Zotin, edhe ne na ndodh kështu”. Unë së bashku me Ebu Bekrin u nisëm për tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe sapo u futëm tek ai, thashë: “O i Dërguari i Allahut! Handhale është bërë hipokrit”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) më tha: “E si je bërë hipokrit”? Unë i thashë: “Po ja! Kur jemi me ty, ti na përkujton Xhehenemin dhe Xhenetin, sikur i kemi para syve, mirëpo kur largohemi nga ty, kalojmë kohën me gratë tona dhe fëmijët tanë, apo me gjënë e gjallë dhe harrojmë shumë prej atyre që na është thënë”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im. Nëse do të vazhdonit të përjetonit ato që i dëgjoni nga unë edhe pasi të largohemi prej meje, engjëjt do t`iu jepnin dorën nëpër shtëpitë tuaja dhe nëpër rrugët që kaloni. Mirëpo o Handhale! Herë kështu (përkushtoju çështjeve që kanë të bëjnë me jetesën e përditshme) dhe herë ashtu (përkushtoju adhurimit)”.

12- Studimi i biografisë profetike

Studimi dhe hulutmi i vazhdueshëm në librat e biografisë së Profetit (Paqja qoftë mbi të), në librat e historisë dhe biografisë së dijetarëve të muslimanëve e ndihmon aktivistin që të distancohet nga lëngata e plogështisë. Këto libra janë të mbushur me informacione dhe tregime për aktivistët e paepur, për të zellshmit në rrugën e Allahut, për njerëzit me vendosmëri të lartë dhe me vullnet të fortë e të sinqertë. Këto informacione apo tregime e çlodhin njeriun dhe e ngushëllojnë, e motivojnë për të ndjekur me dashuri dhe për të pasur si model njerëz të tillë. Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën me fjalët:“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend”[17]

Për shembull, kur muslimani lexon për jetën e Umer ibn Abdulazizit, mëson se ai qëndronte në vendin ku falej pas namazit të Sabahut dhe priste derisa dielli të lindte e të ngrihej pak. Nëse gjatë kësaj kohe plogështohej, ai fillonte dhe lëvizte në oborr, duke përsëritur këto fjalë: “Si mund të flejë i qetë dikush që nuk dihet se në cilën prej dy vendbanimeve (Xhenetit apo Xhehenemit) do ta ketë vendin” Kur muslimani lexon fjalë të tilla, i lëvizin ndjenjat, i shtohet motivimi dhe për rrjedhojë gjallërohet e përpiqet me veten e tij, në mënyrë që të jetë në karvanin e aktivistëve të zellshëm dhe të disiplinuar.

13- Përkujtimi i Ahiretit

Nuk ka dyshim se përkujtimi i vdekjes, i ngjarjeve që do të ndodhin pas vdekjes, i ringjalljes dhe daljes para Allahut, e zgjojnë shpirtin nga gjumi ku ka rënë, e ngrenë atë nga shtrati që ka zënë dhe i tërheqin atij vëmendjen për shkujdesjen që e ka prekur, duke e bërë atë aktiv, të gjallë dhe të gatshëm për të vazhduar rrugëtimin e tij. Mekanizmi më i mirë për ta kujtuar vdekjen është vizita e varreve – qoftë edhe një herë në muaj -, për të medituar dhe për të zënë mend. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ju pata ndaluar nga vizita e varreve, por tani e tutje vizitojini ato, pasi aty merrni mësim”.

14- Përkujtimi i Xhenetit dhe Xhehenemit

Përkujtimi i Xhenetit dhe Xhehenemin, i mirësive të Xhenetit dhe tmerreve të Xhehenemit është një nga kurat më efikase të kësaj lëngate. Duke kujtuar Xhenetin dhe Xhehenemin largohet gjumi nga qepallat, motivohen synimet e fjetura dhe gjallërohen vullnetet e këputura. Transmetohet se Heram ibn Hajani ndonjëherë dilte natën nga shtëpia dhe thërriste me zë të lartë: “Habitem me atë që dashuron Xhenetin, se si fle dhe nuk e kërkon atë. Habitem me atë që kërkon të ikë nga Xhehenemi, sesi fle i qetë (dhe nuk bën të mira)”. Më pas, ai lexonte ajetin kuranor: “A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve, se nuk do t`iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë”[18]

15- Pjesëmarrja aktive në kuvendet e dijes

Dituria është jeta e zemrave. Ka të ngjarë, që një aktivist musliman të dëgjojë një fjalë nga goja e një dijetari të sinqertë e të vërtetë dhe të motivohet për një vit të tërë, madje përgjatë gjithë jetës së tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët”[19] “dhe thuaj: “O Zoti im, ma shto diturinë”[20]

16- Kuptimi dhe zbatimi i fesë në tërësi

Kuptimi i drejtë i fesë dhe zbatimi i saj në tërësi – duke mos anashkaluar asnjë aspekt të saj – garantojnë vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë në rrugën e thirrjes Islame, derisa të mbarojë kjo jetë dhe të takohemi me Allahun e Madhëruar.

17- Kërkimi i llogarisë ndaj vetes

Kërkimi i vazhdueshëm i llogarisë ndaj vetes dhe mbajtja e saj kontroll, të ndihmon të zbulosh të metat e saj, qysh në krye të herës, gjë që e bën shumë më të lehtë kurimin e këtyre të metave. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë, se ç`ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju”[21]

Përktheu: Rushit Musallari

[1] – Sure Enbija: 19 – 20.

[2] – Sure Nisa: 142.

[3] – Sure A’raf: 31.

[4] – Sure Ali Imran: 103.

[5] – Sure Maide: 2.

[6] – Sure Enfal: 46.

[7] – Sure Bekare: 168.

[8] – Sure Nahl: 114.

[9] – Bekare: 208.

[10] – Sure Tegabun: 14 – 15.

[11] – Sure Shura: 30.

[12] – Sure Kehf: 30.

[13] – Sure Taha: 81.

[14] – Sure Furkan: 62.

[15] – Sure Fatir: 43.

[16] – Sure Muhamed: 4.

[17] – Sure Jusuf: 111.

[18] – Sure A’raf: 97.

[19] – Sure Fatir: 28.

[20] – Sure Taha: 114.

[21] – Sure Hashr: 18.