Plan amerikan për goditjen e krimit në Shqipëri, ja çfarë parashikohet në marrëveshjen e 2015-ës…

Një deklaratë e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, për katër klane kriminale dhe 20 familje mafioze që kontrollojnë operacionet kriminale në Shqipëri, ka trazuar si rrallë ndonjëherë politikën shqiptare.

Një ditë pas deklaratës në rrethet politike dhe mediatike nisën të qarkullojnë zëra mbi format e ndërhyrjes së SHBA, për asistimin e autoriteteve shqiptare, për të goditur kështjellën e krimit dhe mafies në Shqipëri.

Por, një ndërhyrje e amerikanëve duket se është e pashmangshme, pasi është parashikuar në ligj.

Në korrik të 2015, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Termat e paktit janë ndryshuar me vendim të Parlamentit në fund të vitit 2016, shkruan shqiptarja.com.

Ndër të tjera, marrëveshja e bashkëpunimit parashikon asistencë nga SHBA me pajisje dhe ekspertë për të luftuar të gjitha format e krimit në Shqipëri.

Marrëveshja parashikon edhe asistencë financiare në varësi të ecurisë së zbatimit të saj dhe vullnetit të autoriteteve shqiptare.

“Programi për zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë Penale do të sigurojë asistencë për institucionet kryesore të drejtësisë penale të Shqipërisë, zyrtarët e antikorrupsionit dhe agjencitë mbështetëse për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë së procedimeve penale dhe forcimin institucional në këtë kuadër.

Rezultatet e projektit do të përfshijnë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët e Shteteve të Bashkuara, pjesëmarrës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Bisedimet për Zgjerim të Komisionit Evropian”, parashikon marrëveshja, e ndryshuar në fund të vitit të kaluar.

Në fokus të marrëveshjes është rritja e kapacitetit të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktivitetit kriminal.

Në këtë kuadër, parashikohet zhvillimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse për trajnimin, orientimin dhe këshillimin për prokurorët dhe hetuesit.

Qëllimi afatgjatë

Qëllimi afatgjatë i kësaj marrëveshjeje me SHBA është forcimi i sektorit shqiptar të drejtësisë penale, institucioneve dhe zyrtarëve të tij, në mënyrë që të përgjigjet për të gjitha llojet e krimit, me fokus të veçantë në korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke synuar ta afrojë vendim më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në përputhje me qasjen strategjike të vendit.

Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit elitar është edhe një nga kushte themelore të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ashtu si zyrtarët e lartë amerikanë, edhe autoritetet e Brukselit kanë kërkuar në vijimësi krijimin e një historiku me hetime dhe dënime përfundimtare për korrupsion.

Ndërkaq, ditën e hënë, kryediplomati amerikan në Tiranë konstatoi se nuk është arrestuar asnjë peshk i madh i krimit dhe korrupsionit.

Monitorimi i zbatimit

Sipas marrëveshjes, përfaqësuesit e palëve do të takohen dy herë në vit për të rishikuar progresin ndaj arritjes së objektivave të projektit. Një raport me shkrim mbi këto takime do të përgatitet dhe do t’i jepet palëve përkatëse.

Progresi do të vlerësohet në përputhje me parametrat e arritjes, informacioni që duhet të shqyrtohet gjatë kryerjes së këtyre vlerësimeve do të përfshijë tregues cilësorë dhe sasiorë.

Këto vlerësime i shtohen monitorimit të vazhdueshëm të programeve dhe aktiviteteve nga personeli përkatës i të dy qeverive./Tesheshi/

Në këtë kontekst, një punë praktike nga ana e përfituesve do të ndiqet me synimin e evidentimit të ndryshimeve që mund të lidhen me ushtrimin e aftësive dhe njohurive të reja (për shembull, zbatimi i standardeve ndërkombëtare në të drejtat e njeriut dhe fusha të tjera, kohës së nevojshme për kryerjen e hetimeve, numrin e padive të depozituara dhe të gjykuara, si dhe arritjes e ngjashme të identifikueshme).

Rritja e kapaciteteve

Në fokus të marrëveshjes është rritja e kapacitetit të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktivitetit kriminal.

5 komponentët e marrëveshjes

Rritja e kapacitetit të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimet e organizuara, korrupsionin dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale.

Zhvillimi i një sistemi të drejtësisë penale nëpërmjet legjislacioneve të përmirësuara;

Ndihma ndaj gjyqësorit për të gjykuar rastet brenda afateve kohore, në mënyrë efikase, të paanshme dhe etike;

Rritja e aksesit të qytetarëve në drejtësi;

Monitorimi i zbatimit të reformave gjyqësore dhe mbikëqyrja për Vetingun/verifikimin e gjyqësorit në koordinim me Komisionin Evropian. /Mesazhi/