PLAKA PA MASKË

OPINION

Shkruan: Ismail Bardhi

Nuk ka njeri që nuk është ballafaquar me pyetjen: çfarë është njeriu? Prandaj nuk mundet as të thuhet se njeriu i së sotmes për veten mendon më pak nga ajo që ka bërë njeriu i kohërave të mëparshme. Përkundrazi, në natyrën tonë thellësisht shpirtërore rritet ndjenja e përgjegjësisë për zhvillimin e botës, dhe tensioni që në atë botë ta realizojmë njerëzinë tonë.

Tre “poshtërime”, “tjetërsime” i kanë ndodhur njeriut të këtyre disa shekujve të fundit. Koperniku e shtyu Tokën në errësirën e gjithësisë; Darwini, në njëfarë mënyre, e barazoi me kafshët, ndërsa për Freudin e para te njeriu është “libidoja seksuale”. I ngarkuar me këto poshtërime, tjetërsime, njeriu i së sotmes ka mbetur pa çdo pikë referimi, pa vendbanim, ekzistencë, vendqëndrim (ethos, oikos). “Jemi të vetëdijshëm për mjerimin tonë” – ka shkruar Nietzche – “ngaqë e shohim veten të shqyer në katër drejtime: prapa – drejt së kaluarës personale me mangësitë e saj; përpara – drejt ardhmërisë së panjohur të paqëllim; brenda – drejt unit personal, që është gati i ngjashëm me minierën gjarpërore; jashtë – drejt gjërave nga të cilat shumë i dashurojmë, të tjerat nuk i njohim, kundër të tretave luftojmë”. Kjo, si duket, na bën që shpeshherë të flasim për kohën e kaluar, sepse të ardhme si duket “nuk” kemi. Që ta konkretizoj kohën e kaluar, do ta përkujtoj një kohë që ne ballkanasit akoma nuk jemi ngopur duke e sharë, fyer dhe akuzuar për gjithçka.

Sapo kishte filluar zhbërja e Perandorisë Osmane, 100 vjet më parë, një loke e ulur në prag të derës së sokakut “shikon” diku me sytë mbyllur, plot heshtje dhe vetmi. Pranë saj kalon një ushtar: a serb, a grek, a bullgar nuk dihet (mund të ketë qenë edhe ndonjë “komandant” shqiptar) dhe kur e sheh plakën në atë gjendje i kthehet dhe e pyet: “Oj nënë, çka je duke bërë, a ke nevojë për diçka?”. “Eh ore bir, jo…, isha duke menduar se çfarë po ndodh me ne, sa shumë premtime të mëdha, e në fakt asgjë pos mjerimit dhe vetmisë. Çdo ushtri që erdhi më vrau nga një fëmijë…”, ia ktheu plaka. “Pse, oj loke, thua kështu? Mos ka qenë më mirë në kohën e Perandorisë Osmane?”, e pyet ushtari. “Nuk e di a ka qenë më mirë, por nuk ka qenë kështu siç është tani. Atëherë kisha për të ngrënë e për të pirë, ndërsa sot nuk kam asgjë”, përgjigjet ajo dhe vazhdon: “Sot kemi sharje, fyerje, urrejtje, ushtri pa emër, pa identitet, vjedhje, uzurpim tokash, urrejtje fetare dhe pyesim njëri-tjetrin diçka që asnjëherë më parë nuk e kemi pyetur: ti çfarë Zoti ke, unë çfarë Zoti kam?; sot edhe “faltoret” i kemi shndërruar si vend-përgatitjeje për urrejtje dhe luftë, respektivisht vrasje të njëri-tjetrit ose, thënë më mirë, TË NJËRIT. Ti je i ri, or bir, nuk të fajësoj përse nuk kupton, por të fajësoj përse mashtrohesh…”

A nuk janë këto fjalë të kësaj plake urtësi edhe për vetë ata që i kanë përkitur Perandorisë Osmane, po pse jo edhe mendimtarëve më të urtë, ose filozofëve më të njohur të botës kur kanë thënë se: “çdo e keqe na ka ardhur për arsye se e kemi harruar Zotin” (Solzhenicin); “Injoranca e shekullit të njëzetë” (Muhammed Kutub), ose “Shkatërrimi i Perëndimit” Spengler). Është paradoksale që edhe sot vendet e Ballkanit, sidomos shqiptarët, akoma merren me akuza ndaj Perandorisë Osmane, kinse ajo i ka lënë pa alfabet, pa gjuhë dhe pa “centrale bërthamorë”!? Ky mendim mund të vlejë vetëm sipërfaqësisht, sepse një mendim i tillë ekziston për fat të keq edhe sot në mendësitë majtiste-djathtiste në qendrën e kësaj Perandorie, e cila me tërë fuqinë e vet dhe përkrahjen që ka nga “jashtë” dhe nga “brenda” është për ta luftuar një Perandori që ka sunduar në tre kontinente, e megjithatë nuk ka pasur frikë dhe luftëra siç janë paraqitur pas saj. Për këtë çështje do të ndalem vetëm te populizmi ekzistues që sot mundëson që edhe ne nga jashtë ta kritikojmë dhe ta shohim gjithë këtë si diçka ofenduese, nënçmuese për një qeveri/qeverisje që ky vend gjatë kohë nuk e ka pasur.

Sot programet televizive në Turqi janë bërë aq të rrezikshme, saqë dita-ditës janë duke bërë tjetërsim të paparë, i cili për fat të keq është i pranishëm edhe në shumë vende të tjera të Ballkanit. Nuk e di nëse kam të drejtë ta them fjalën e fundit tani, por programet dhe debatet politike që zhvillohen atje për mua janë një lloj “pornografie e sjellshme”, sepse mashtrimin, gënjeshtrën, respektivisht populizmin, e shndërrojnë në një seriozitet të paparë. Vetë emisionet televizive e dëshmojnë diçka të tillë: emisione për veshmbathje, emisione për gjetjen e të humburve, të vrarëve; emisione për martesa/divorce; emisione për kuzhinieri, e madje edhe emisione fetare; pa i anashkaluar edhe emisionet /debatet politike.

Kjo që ndodh është një padrejtësi institucionale, kulturore dhe fetare. Emisionet për gjetjen e të humburve, që zgjasin çdo ditë me orë të tëra, janë nënçmim për ministritë dhe për vetë shtetin; emisionet fetare, politike, janë shndërruar në shaka: çdokush që di të flasë ose që flet shumë, e gjeni aty. Dhe, këto lloj emisionesh janë duke i shndërruar ata në të famshëm dhe me “fuqi”, ndërsa kjo “fuqi” nuk është duke sjellë asgjë të mirë, përpos mashtrimit dhe nënçmimit që i bëhet tokës, vendit dhe shtetit. Këtu do të thosha se “plaka” nga fillimi i shkrimit ka bërë gabim kur ka thënë se më parë ka qenë më mirë. Jo, shikoni se si edhe teknologjia edhe pasuria me metodat e populizmit janë duke ndikuar në familjet tona dhe vendet tona, me të vetmin qëllim që injoranti dhe krimineli i ahlakut të bëhen dominues mbi shoqërinë. Mendësia e tillë ka shkuar aq larg, saqë sot gëzon përkrahje nga politika: majtizmi/majtistët nëse flasim me gjuhën e politikës së Perëndimit, nuk janë asgjë, veçse një brumë që është i gatshëm të bëjë çmos, vetëm për ta “prishur” një “Perandori”. Për ta kuptuar më mirë se çfarë dua të them: ata dëshirojnë që 95% të jenë të robëruar dhe vetëm 5% ta sundojnë, ta kontrollojnë këtë shtet. Shikoni edhe mbështetjen që ia japin Kemalit/Kemalizmit pa e ditur se çfarë bëjnë, përpos duke i përdorur “fuqitë” e lartshënuara. Edhe hapësirën e filmit/kinematografisë mundohen që në mënyrë bolliwoodiane ta bëjnë fuqi ndikuese. Madje, shkojnë aq larg, saqë bëjnë që edhe artistët kur ecin të duket kinse fluturojnë nga kapadaillëku sikur të ishin “terminatorë”.

E nëse flasim për “pushtetin” e tashëm, duhet thënë se ai për momentin është duke kaluar një fazë krize, edhe pse nuk duhet mohuar faktin se ka bërë diçka që ky vend me vite, madje edhe në kohën e Perandorisë Osmane, “nuk” e ka bërë. Ku qëndron dobësia këtu? Dobësia qëndron në atë se ai duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit së popullit, sidomos kur e di se ky vend është pasardhës i një perandorie që ka sunduar në një hapësirë shumë të gjerë dhe nuk ka të drejtë t’u nënshtrohet kërkesave politike paradoksale dhe programeve që kanë ngjyrimin e një “pornografie” nënçmuese dhe shfrytëzuese. Është rrezik i madh t’i lejohet një “aktori”, e për fat të keq edhe një “dijetari”, të dalë në rrugë e të protestojë dhe ta fyejë fenë, Zotin e vatanin, kjo me të vetmin qëllim që të vijnë në pushtet lloji i atyre që e shkatërruan edhe Perandorinë Osmane. Kjo forcë “djathtiste” në pushtet është mirë që sot të mendojë të bëhet sintezë e përhershme e djathtistëve dhe e majtistëve, ngaqë koha e kërkon një gjë të tillë.

Kjo kërkesë dhe detyrë e domosdoshme natyrisht se u përket institucioneve fetare, të cilat për fat të keq janë mashtruar dhe po mashtrohen me atë që po ë prezanton politika mediatike ose nami dhe nishani. Nëse institucioni fetar eventualisht dëshiron ta shohë nevojën dhe përgjegjësinë që ka, është mirë që “të merret” seriozisht me kohën e së kaluarës, ta shohë se çfarë u solli popujve, vendeve dhe pushteteve në hapësirën në fjalë. Vetëm në Ballkan pas largimit të Perandorisë Osmane nuk dihet plotësisht zullumi i djathtistëve dhe majtistëve, luftërave dhe shkatërrimeve, si dhe pushteteve të ndryshme. Këtu bëhet fjalë për zullum konstant, ngaqë nuk dihet sa herë janë ndryshuar kufijtë, e as sa është numri i viktimave. Fetë qiellore çdoherë kanë qenë “të dënuara” dhe janë “të dënuara” nga vetë Zoti nëse lejojnë t’i nënshtrohen dikujt tjetër, përveç Zotit. Ato e kanë për detyrë ta interpretojnë Fjalën ashtu siç duhet, duke u liruar nga dëshira për name e nishan. Ato kanë nevojë ta luftojnë populizmin nënçmues, mashtrues, që është bërë një kancer i llojit të vet, që i ka kapërcyer përmasat edhe të këtij virusi të përsëritur gjithandej.

Me çka karakterizohet populizmi? Me çdo gjë, por më së shumti me gojën plot demokraci. Ajo është më se e nevojshme që populizmi të vijë në pushtet. Prandaj, populizmi nuk i sulmon kurrë institucionet demokratike, por i minon ato duke i kontaminuar me të dëgjueshmit e vet dhe duke thënë se kësisoj e ka legjitimitetin e plotë demokratik. Fjala “bashkëkohor” disi më tingëllon shumë ftohtë dhe nuk e di se sa është e dobishme që ta bashkëkohorizojmë këtë dukuri pa bashkëkohësi, për shkak se, ashtu siç e quajtëm më sipër ‘pa shpirt’, mund të themi se është bashkëkohësim pas-shpirtëror. Por, si duket nuk bëhet fjalë për atë se sa është bashkëkohës, por kush është më dominues. Çështja qëndron aty se populizmi bashkëkohor lokal është vetëm edhe një “i dëgjueshëm” i populizmit më të madh bashkëkohor, gjegjësisht i atij global.

Nga e tërë kjo që u tha nuk duhet nxjerrë përfundim se nuk ka ndryshime për të mirë brenda këtyre 15-20 viteve të fundit, por populizmi i mëparshëm, si në politikë ashtu edhe në kulturë, dita-ditës është duke u forcuar dhe duke marrë forma të ndryshme dhe e ka marrë nën kontroll edhe politikën, edhe institucionet kulturore e, për fat të keq, edhe ato fetare. Ai është bërë ushqim kryesor i intelektualëve të profileve të ndryshme, edhe të disa prijësve fetarë. Sa thënie me peshë është ajo e Pejgamberit tonë s.a.w.s. kur thotë se edhe vrasësi edhe i vrari janë në xhehennem, që do ta parafrazoja si: edhe mashtruesin, edhe të mashtruarin; edhe dijetarin edhe injorantin, bashkë edhe pranuesin dhe refuzuesin e politikës i pret i njëjti fund i kobshëm.

Koha është shumë e vështirë, aq e vështirë saqë njerëzit “gëzohen” me luftërat dhe mashtrimet e së kaluarës. E sotmja nuk është e sotme, por është diçka që në sekondë zhduket, sepse e sotmja nuk garanton asgjë. Ajo është shndërruar në një skllavërim të paparë. Ajo ka filluar ta humbasë kuptimin e vlerave të shkencës dhe mundësive që ka shkenca. Ajo është duke e zbehur dashurinë e kulturës për kulturën dhe për të kulturuarin. Ajo është duke u munduar që t’ia prishë dashurinë dhe simpatinë lutjes (kujtoni vetëm distancën 1-2 metra në këtë kohë, për të na larguar edhe në mënyrë fetare). Këto nuk janë rastësi. Këto janë shenja që dëshmojnë për rrezikun dhe që thërrasin në rikthim në vetvete për vetveten, që natyra e madhe të mos e humbasë lezetin për të jetuar dhe prindërit për të pasur fëmijë.