Plagoset një polic në Fushë-Kosovë

Një polic është plagosur me armë zjarri, pasditen e sotme në Fushë-Kosovë.

Ai është plagosur në thembër dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Kështu ka bërë të ditur mjeku kujdestar nga Emergjenca, Sami Bajqinca.

“Stabil, asgjë serioze. Plagë mbi thembër”, tha ai për Tëvë1.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, tha ajo.