Të paktën 83 palestinezë u plagosën kur forcat izraelite përdorën plumba të vërtetë dhe plumba gome, si dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit në Bregun Perëndimor të okupuar kundër vendbanimeve të paligjshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se tetë persona u plagosën me plumba të vërtetë, ndërsa 10 të tjerë, duke përfshirë një ndihmës mjekësor në qytetin Beita, u plagosën me plumba gome.
Në njoftim thuhet se rreth 65 palestinezë të tjerë pësuan nga gazi lotsjellës.
Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite qëlluan plumba të vërteta, plumba gome dhe gaz lotësjellës në qindra palestinezë pas faljes së namazit të xhumasë pranë Malit Sabih në qytetin Beita.
Përleshje të ngjashme u dëshmuan gjithashtu në qytetin Kafr Qaddum dhe Beit Dajan, ku dhjetëra palestinezë u prekën nga gazi lotsjellës.
Ushtria izraelite gjithashtu shtypi një protestë kundër vendbanimeve në zonën Masafer Yatta në Hebron.
Vlerësimet izraelite dhe palestineze tregojnë se ka rreth 650 mijë kolonë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin e okupuar.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e okupuara konsiderohen të paligjshme. /aa