Plagosen 3 ushtarë izraelitë nga një mjet shpërthyes në veri të Gazës

Tre ushtarë izraelitë janë plagosur në një sulm në tankun e tyre në Jabalia në veri të Gazës nga një mjet shpërthyes, transmeton Anadolu.

E përditshmja izraelite “Maariv” pretendon se ushtria izraelite pret që luftimet në Jabalia të vazhdojnë edhe për disa ditë të tjera.

“Pavarësisht dëmeve të shkaktuara ndaj Hamasit në veri të Gazës dhe Jabalia, ata vazhdojnë të sfidojnë ushtrinë izraelitë pikë për pikë”, tha e përditshmja izraelite.

Sipas të përditshmes, Jabalia aktualisht është një “qytet fantazmë” me qen të braktisur që enden rrugëve që dikur ishin plotë jetë.

“Nuk ka asnjë ndërtesë në këmbë. Çdo strukturë që ende është e ngritur është e mbushur me copëza plumbash dhe predha”, tha e përditshmja izraelite.

Më shumë se tre muaj më parë, Izraeli nisi ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në Jabalia, duke çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra palestinezëve, duke shkatërruar ndërtesa të shumta dhe duke shkaktuar mijëra viktima.

Palestinezët e akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën, ta kthejë atë në një zonë tampon dhe t’i detyrojë banorët të largohen përmes bombardimeve të pamëshirshme dhe një rrethimi të rreptë, duke i privuar ata nga ushqimi, uji dhe ilaçet.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, ushtria izraelite vazhdon me luftën gjenocidale në Rripin e Gazës duke vrarë të paktën 45.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën vdekjeprurëse në Gaza gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).