Pjesë të spitalit “Nasser” në Gaza nuk mund të funksionojnë shkaku i mungesës së karburantit

Disa seksione të spitalit “Nasser”, që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, ku ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj, i kanë ndërprerë aktivitetet e tyre për shkak të mungesës së karburantit, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim të spitalit thuhet se të gjithë gjeneratorët e spitalit janë ndalur për shkak të shterrimit të karburantit dhe se ka mundur të ndizet vetëm një gjenerator i vogël.

Shërbimet e spitalit u ndërprenë, përveç reparteve të kujdesit intensiv, urgjencës dhe departamenteve përkatëse.

Në deklaratë theksohet se karburanti i mbetur do të ishte “i mjaftueshëm për të funksionuar gjeneratori i vogël në spital për vetëm 3 orë” dhe se nevojiten 5.500 litra karburant në ditë për t’i ofruar shërbim spitalit.

Spitali “Nasser” është ndër institucionet e rëndësishme shëndetësore në rajonin jugor të Rripit të Gazës, veçanërisht në qytetet Rafah dhe Khan Younis.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, vetëm 14 nga 36 spitalet në Rripin e Gazës ofrojnë shërbim të pjesshëm.

Në këto spitale ka mungesë të barnave dhe mjeteve mjekësore për shkak të pamundësisë për të ofruar ndihma të mjaftueshme humanitare.