Pite tigani të mbushura me spinaq .

Pitet e mbushura janë të famshme për shijen e mirë në shumë vende të botës.
Ndaj sot do të ju shpjegojmë shkurt se si të përgatisni pitet me spinaq.
Aspak të lodhshme e mund t’i përgatisni në shumë pak kohë.

Përbërësit

  • 400 gr miell
  • 250 ml ujë
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1 lugë çaji sodë

Për mbushjen

  • 350 gr spinaq i skuqur në tigan me vaj dhe piper
  • 150 gr djathë kaçkavall

Përgatitja

Fillimisht të skuqni spinaqin në një tigan të thellë me vaj ulliri dhe pak piper.
Skuqeni atë deri sa të jetë zbutur dhe gatuar plotësisht për disa minuta dhe lëreni mënjanë.
Më pas vazhdoni me përgatitjen e brumit, në një enë të thellë hidhni miellin, sodën, pak kripë dhe përziejini me një pirun.
Shtoni po aty ujin dhe vajin duke e punuar masën me duar derisa të formohet brumi.
Pasi të formoni topin e brumit lëreni në enë të pushojë për 10-15 minuta.
Ndani përgjysmë brumin kur të jetë gati dhe hapeni me një petës.
Do të formoni dy peta të mëdha rrethore pëarfërsisht sa madhësia e tiganit tuaj.
Peta nuk duhet të jetë shumë e hollë, në mënyrë që të mbajë mbushjen e të mos çahet.
Filloni me mbushjen, në shtresën e parë vendosni disa feta djathi kaçkavall të prera hollë dhe sipër shtoni gjysmën e spinaqit.
Kini kujdes që pasi ta gatuani ta kulloni pak spinaqin që të lëshojë lëngun e tepërt.
Më pas vazhdoni me një shtresë tjetër djathi të prerë hollë dhe shtoni sërisj spinaq.
Merrni petën tjetër dhe mbulojeni piten tuaj duke i puthitur mirë me gishta anët që të mos dalë mbushja.
Zgjidhni një tigan që nuk ngjit në zjarr dhe vendosni piten tuaj të mbushur.
Nëse nuk e keni një tigan të tillë, mjafton ta lyeni sipërfaqen me pak gjalpë.
Lëreni piten të skuqet për disa minuta nga secila anë duke bërë kujdes se mos digjet.
Vendosni kapakun tiganit dhe lëreni në zjarr përreth 4 minuta nga secila anë.
Kontrollojeni pasi kanë kaluar minutat e para dhe kur të jetë skuqur sa duhet, hiqeni nga zjarri.
Vendoseni në një pjatë dhe konsumojeni në vaktin që ju dëshironi.