Pispili me kunguj të njomë

Përbërësit: 400 g kunguj të njomë, 3 vezë, 2 gota uji me miell gruri, 1 gotë uji me miell misri, 120 ml qumësht, 2 lugë çaji me kripë, 100 ml vaj ulliri dhe 300 g gjizë pa kripë.

Përgatitja: Pasi të keni larë me ujë të bollshëm kungujt grijini imët me rende. Shtrydhini lehtë me duar për të hequr pak nga lëngu i tyre, por jo të gjithin pasi do të duhet për brumin. Lërini mënjanë dhe ndërkohë përgatisni brumin. Merrni një tas të madh dhe aty hidhni vezët, vajin dhe qumështin. Rrihini derisa të formoni një masë të njëtrajtshme dhe më pas shtoni kripën dhe miellin e misrit. Punojeni përzierjen sa mielli i misrit të jetë tretur, kështu do të keni përfituar një brumë të hollë. Tani është momenti që të shtoni gotën e parë të miellit të grurit. Hidhni gjizën duke e thërrmuar pak me duar si dhe gotën e mbetur të miellit të grurit. Brumi duhet të jetë në trashësinë e brumit të kekut. Në fund shtoni kungujt. Nëse brumin e shikoni që është pak më i fortë, shtoni pak nga lëngu i kungujve që ruajtët në fillim. Merrni një tavë dhe lyejeni mirë me vaj dhe aty kaloni brumin që përgatitët. Futeni për ta pjekur në furrë të ngrohur me 200 gradë për 30 minuta, ose derisa sipërfaqja e tij të jetë e artë. Shërbehet i ngrohtë duke e shoqëruar me sallata të ndryshme me perime të freskëta, me turshi, apo tarator me kastravecë.

Kjo recetë u përgatit nga Gatime Shqiptare