Në vitet e 90’ta u detyruam të organizojmë arsimin paralel. Serbia veproi sipas qëllimit “nëse një popull don ta lësh pa të ardhme, shkatërroja arsimin”.
Pasojat do të ishin afatgjata. Asokohe isha fëmijë. Krejt “dituria” kufizohej në librat shkollorë dhe informacionet e televizionit. Pas një kohe, filluan të mungojnë edhe librat. Arsimtarët ligjëronin, ne merrnim shënime. Thënë më saktë, do duhej të merrnim shënime ngaqë një pjesë e konsiderueshme vitin shkollor e mbarronin me një fletore! Personalisht e pata shteruar krejt bibliotekën e shkollës. Kam lexuar libra interesant, edhe libra palidhje, si një autodidakt që nuk ka as mundësinë e klasifikimit të literaturës. Nuk kishte internet. Tundimi për të ta marrë vëmendjen diçka tjetër para mësimit, ishte më i vogël. Kishte më shumë kohë për lexim për ata që dëshironin. Dhe, fatmirësisht, shkaku i disiplinës së hekurt, jo pak shokë e shoqe të brezit tim treguan rezultate shumë të mira dhe sot janë të suksesshëm në profesionet e tyre. Por, një numër i konsiderueshëm që e përfundoi shkollën as që ia kishte haberin për gjërat më bazike. Prej tyre njoh edhe të atillë që sot mbajnë pozita të mira!
Sot, si prind i dy fëmijëve që arsimohen në shkolla publike, e shoh me dhembje si rrjedh procesi i arsimimit. Arsimtarë të tyre, në të shumtën e rasteve janë ata që u shkolluan dikur në sistem paralel. Disa mund të jenë shumë të përgatitur, varësisht sa kanë investuar në vetveten, e të tjerë njerëz që i frikësohen testimit për mësimdhënësit ngaqë e dinë të vërtetën për vetveten! Kjo për faktin se për një kohë të gjatë “libreza partiake”, ka qenë diploma më e vlefshme! Sikur kjo mos të mjaftonte, sistemit arsimor iu mbivendosen edhe një numër i madh i kolegjeve private, një pjesë e konsiderueshme e të cilave falimentuan shkaku i cilësisë apo ngaqë u përfshinë të mallverzime të ndryshme që vinin në pikëpyetje kriterin e cilësisë. Pra, nuk vlente “thellësia e dijes” por “thellësia e xhepit”. Në sektorin publik ndërtoheshin shkolla në vazhdimësi, ndërkohë që çdo vit numri i nxënësve bie shkaku i migrimit! Por, tenderët pasuruan shumë njerëz të klikës së pushtetit.
Në këto rrethana, duhej edhe një situatë e pazakonshme që rënia e cilësisë së arsimit të merrte përmasa edhe më të frikshme. Dhe, erdhi. Pandemia! Mësimi “on-line” ia vuri kapakun. Avancimi i teknologjisë, për një masë të madhe, forcoi budallakitë në “tik-tok”, e jo mundësitë për ta thelluar dijen. Sikur kjo të mos mjaftonte, pasuan grevat, mbyllja e shkollave. U printe një njeri që paturpësisht deklaronte se vitet e shkollës i ka kryer me nota të falura…
Pra, në vend që ta parandalonim katastrofën që dikur e synonte Serbia përmes shkatërrimit të sistemit arsimor, ne ia dhamë levat ndihmëse. Gjatë periudhës së pasluftës:
– Prodhuam kuadro që përpilojnë kurikula “copy-paste”;
– “Të diplomuar me xhep të thellë”;
– Kryeministra, presidentë, deputetë, ministra ngelafça;
– Mësimdhënës me “certifikatën partiake”;
– Libra shkollorë me gabime qesharke;
– Prindër që nuk kanë kohë të merren me fëmijët e tyre;
– Fëmijë që “mësuesin” kryesor e kanë internetin dhe video lojërat.
Sot, fajtorin duhet të nisim ta gjejmë tek vetvetja. Të gjithë kemi faj. Pa dalim. E bajshim me shëndet!
Nga: Xhevdet Pozhari