Piloti i dorëhequr nga ushtria izraelite bën thirrje për ndalimin e gjenocidit të Izraelit në Gaza

Jonathan Shapira, i cili dha dorëheqje nga ushtria izraelite në të cilën ushtronte detyrën si kapiten pilot në vitin 2003 duke kundërshtuar masakrat sistematike që Izraeli kryente në rajon, bëri thirrje për ndalimin e gjenocidit që Izraeli po kryen në Gaza “me mbështetjen indirekte të Perëndimit”.

Ka tërhequr vëmendjen se sulmet filluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Benjamin Netanyahu si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.

Shapira i cili dha dorëheqje nga ushtria izraelite pasi refuzoi “të ishte drejtpërdrejt ose indirekt pjesë e pushtimit dhe shtypjes çnjerëzore, të paligjshme” të popullit palestinez, në një prononcim për Anadolu foli për sulmet që Izraeli rifilloi më 18 mars duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.

– “Asnjë forcë në rajon nuk ka vrarë aq shumë civilë të pafajshëm sa pilotët izraelitë”

Derisa shërbente si kapiten në Forcat Ajrore izraelite, gjatë Intifadës së Dytë në vitin 2003, Shapira tha se avionët luftarakë izraelitë u dërguan në Gaza, Bregun Perëndimor ose Liban për të vrarë civilë. “Fillova të kuptoj se këto ishin në të vërtetë akte terrorizmi”, tha ai.

Shapira potencoi se ka patur disa sulme nga forcat ajrore izraelite në Gaza të cilët e tronditën thellë. Ai tha se në një nga këto sulme, një bombë me peshë rreth 1.000 tonë u hodh në një shtëpi në një nga lagjet më të dendura të Gazës në mesnatë, duke vrarë shumë civilë, kryesisht fëmijë.

Pasi tha se sulmet që ngritën ndërgjegjësimin tek ai mund të konsiderohen me përmasa më të vogla “krahasuar me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjithëpërfshirës që po ndodh sot në Gaza”, Shapira tha: “Asnjë nga forcat që luftojnë në rajon nuk ka vrarë aq shumë civilë të pafajshëm sa pilotët izraelitë që i hodhën me bindje këto bomba gjigante mbi spitalet, civilët e zhvendosur në tenda”.

Duke nënvizuar se “autorët e masakrave në Gaza nuk duhet të lihen të pandëshkuar”, Shapira tha se “autorët duhet të kapen, të merren në pyetje dhe të dërgohen në burg për pjesën tjetër të jetës së tyre”.

“Në ushtrinë izraelite, kur më shumë ushtarë dhe oficerë të shohin se nuk janë të paprekshëm dhe se krimet e tyre nuk mbeten pa u ndëshkuar, ata do të fillojnë të mendohen dy herë përpara se të kryejnë këto krime. Pilotët izraelitë konsiderohen si pjesë e elitës së shoqërisë. Shumë prej tyre kanë plane për të studiuar, për të udhëtuar jashtë vendit, për të gjetur një punë, për të udhëtuar nëpër botë, për pushime me ski, për të punuar në vende të tjera të botës. Ata duhet ta dinë se këta persona do të gjenden, arrestohen dhe burgosen për krimet që kanë bërë. Nëse kjo ndodh do të shohim gjithnjë e më shumë ushtarë, oficerë, pilotë dhe komandantë izraelitë që refuzojnë të marrin pjesë në sulme”, tha Shapira.

– “Mbështetja indirekte e Perëndimit është arsyeja pse vazhdon gjenocidi”

Shapira, i cili preku faktin se e gjithë bota ka heshtur për masakrat që Izraeli ka kryer në Gaza që nga 7 tetori 2023 dhe se disa vende perëndimore e kanë mbështetur në mënyrë indirekte Izraelin duke e furnizuar me armë dhe avionë luftarakë. “Shumica e të gjitha këtyre vendeve në Perëndim dhe Evropë marrin pjesë në mënyrë indirekte në këtë gjenocid dhe fakti që ato nuk ndalin mbështetjen e tyre është arsye e vazhdimit të këtij gjenocidi”, shtoi Shapira.

Duke mbrojtur idenë se askush nuk ka të drejtë të heshtë për atë që po ndodh në Gaza, Shapira tha: “Kështu ndodhi Holokausti (gjenocidi hebre) që përjetuan paraardhësit e mi dhe kështu po ndodh tani edhe “Holokausti” që po përjetohet në Gaza”.

Ai tha se palestinezët që jetojnë në Gaza e dinë shumë mirë se kush është bashkëpunëtor në këto masakra. “Ata gjejnë mbetjet e këtyre raketave në rrënoja dhe mund të shohin se ato janë prodhuar në Britani dhe SHBA”, tha piloti izraelit.

Duke e përshkruar kabinetin e Netanyahut, i cili përfshin figura të së djathtës ekstreme në role kritike, si “nazistët supremacistë hebrenj dhe më të këqijtë nga më të këqijtë”, Shapira tha se ata që bashkëpunojnë me qeverinë dhe normalizojnë marrëdhëniet e saj me të janë “pjesë e këtij krimi”.

“Ata nuk duan t’ia dinë për pengjet izraelite dhe as për popullin e tyre”, tha Shapira.

Ai nënvizon se arsyet kryesore për rifillimin e sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës më 18 mars të cilat kishin zgjatur 15 muaj, janë interesat politike të qeverisë izraelite dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, si dhe rasti i korrupsionit kundër kryeministrit. “Ata (qeveria Netanyahu) nuk duan t’ia dinë për pengjet izraelite dhe as për popullin e tyre. Atyre u intereson të vazhdojnë të mbajnë kontrollin mbi vendin”, tha Shapira.

Më tej piloti izraelit tha se qeveria e udhëhequr nga Netanyahu nuk tregoi interes për pengjet izraelite të mbajtura në Gaza dhe kërkesën e popullit për t’i dhënë fund sulmeve.

Ai mbron idenë se Netanyahu “mendon se pengjet izraelite që mbahen në Gaza do të vriten herët apo vonë”. “Kur pengjet izraelite u kthyen të gjallë në shtëpi pasi u përballën me bombardimet nga ushtria e tyre, ata do të kenë vetëm gjëra të këqija për të thënë për sistemin izraelit, vendin dhe ushtrinë”, u shpreh Shapira.

“Zemrat e shumë hebrenjve anti-sionistë në mbarë botën janë me popullin e Gazës”, tha ai.

Shapira iu drejtua popullit të Gazës nën sulmet izraelite, duke thënë: “Ne jemi me ju dhe nuk do të heqim dorë nga lufta derisa Gaza dhe e gjithë Palestina të jenë të lirë. Jemi me ju, ne ju mbështesim, ne mbështesim kauzën tuaj të drejtë për të ndaluar këtë krim brutal, këtë gjenocid brutal kundër njerëzimit”.

Kujtojmë se Izraeli më 18 mars rifilloi sulmet e tij të dhunshme në Rripin e Gazës duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Bashkë me këto sulme, numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 50.144 ndërsa numri i të plagosurve mbi 113.704.