Që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut quhen maqedonas nga vëllezërit dhe motrat e tyre në Shqipëri ndërlidhet me faktin që sistemi arsimor i Enver Hoxhës e kultivonte ideologjinë e izolimit. Rama, njësoj si Berisha, është fjalëzjarrtë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por asnjë media shqiptare, përfshirë edhe RTSH-në dhe ATSH-në, nuk ka korrespondentë në Shkup!
Kur Tirana na percepton si maqedonas, një pjesë e maqedonasve ende druajnë nga Platforma e Tiranës dhe “bashkimi kombëtar shqiptar”!
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Në periudha të ndryshme profesionale kam raportuar për mediat e Shqipërisë dhe në programet e mëngjesit shpesh jam pyetur se si raporton shtypi në Shkup mbi zhvillimet në vend dhe rajon. Por, ajo që ia ka “vrarë” veshin shikuesit këndej kufirit ka qenë këmbëngulja e kolegëve të Shqipërisë që gazetat në gjuhën shqipe t’i emërtojnë si media maqedonase, kjo nisur nga teoria identitare e shtetit komb! Një perceptim krejtësisht i gabuar, i shtrembëruar, joobjektiv dhe pashpjegueshëm anakronik mbi identitetin etnokulturor të shqiptarëve.
Çamët s’janë grekë e arbëreshët italianë
Sipas kësaj vije perceptuese identitare, shqiptarët e Preshevës do të duhej të quheshin serbë, ndërsa shqiptarët në Greqi do ishin grekë e jo shqiptarë që njihen si çamë ose në Itali që njihen me emërtimin arbëresh.
Identiteti shtetëror ose kombëtar (nacional), në kuptimin postmodern të fjalës, nuk nënkupton automatikisht edhe identitet etnik ose etnokulturor. Nuk janë të gjitha shtetet me strukturë homogjene etnike që ky parim të vlejë gjithkund. Belgjika dhe Zvicra janë shtete me modele të përkufizuara shtetërore-institucionale dhe sistemore-politike mbi organizimin dhe funksionimin e interkulturalizmit dhe heterogjenitetit kompleks etnik dhe shoqëror.
Që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut quhen maqedonas nga vëllezërit dhe motrat e tyre në Shqipëri ka shpjegim historik, përkatësisht ndërlidhet me faktin që sistemi arsimor i diktaturës totalitariste të Enver Hoxhës e kultivonte ideologjinë e izolimit, që siç e përmendim shpesh, kinezët i konsideronte “vëllezër” dhe kosovarët “miq”. E ne këndej vuanim për Shqipërinë (Dashurinë tane zemra kurrë s’ka me harrue) dhe i këndonim me zell shokut Enver (Plot pese shekuj nana priti Skenderbeut nji vella ia rriti, legjendar n’lufte e n’liri Enver Hoxha emni i tij).
Pas viteve të ‘90-ta, kishte shumë shqiptarë të Shqipërisë zyrtare, të cilët nuk e dinin se ka shqiptarë përtej kufijve administrativë. Nuk e dinin se ka shqiptarë në Kosovë, e aq më pak në Maqedoninë e Veriut dhe në viset e tjera të ish Jugosllavisë.
Shqipëria ka qenë njëri ndër vendet e para që e ka njohur pa kushte Maqedoninë si shtet të pavarur, sovran dhe të mëvetësishëm. Qeveria e Sali Berishës nuk ka kërkuar asnjë “koncesion” mbi statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria përçau PPD-në në vitin 1993
Në vitin 1993, Shqipëria zyrtare u angazhua drejtpërdrejt në përçarjen e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD). Përmes një komunikate, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) ndikoi drejtpërdrejt në çarjen në dysh të lëvizjes popullore shqiptare të njohur si Prosperiteti. Aktorët politikë shqiptarë të Maqedonisë së asaj kohe, kryesisht të PPD-së, pohojnë se kjo çarje ka ndodhur me kërkesë të pushtetit të atëhershëm socialdemokrat, i drejtuar nga dyshja, presidenti i vendit, Kiro Gligorov dhe kryeministri Branko Cërvenkovski. Faktet nuk janë të verifikuara, por populli thotë “Aty ku ka zë, nuk është pa gjë”.
Por, edhe pse “emisarët” e Partisë Demokratike morën pjesë në shkatërrimin e PPD-së, shqiptarët e këtushëm deri në vitet 2013 kanë pasur një simpati të jashtëzakonshme për demokratët dhe liderin e tyre historik, Sali Berisha. Ata kishin averzion konsensual ndaj Partisë Socialiste, e cila ishte vazhdimësi e Partisë së Punës së Enver Hoxhës. Andaj duke i besuar demokracisë si model i ri politik që sjell liri, drejtësi dhe barazi, ata refuzonin gjithçka që ishte socialiste, qoftë edhe nëse vinte nga shteti amë.
Që kjo është e vërtetë, ju rikujtojmë dy fakte:
-Në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, në vitin 2012, Sali Berisha, kryeministër i shtetit shqiptar ,erdhi në Shkup dhe iu drejtua shqiptarëve në sallën e madhe “Boris Trajkovski”, e cila ishte shumë e vogël për të interesuarit që donin të merrnin pjesë dhe ta ndiqnin nga afër idhullin e tyre politik. Ish presidenti dhe kryeministri shqiptar sot e asaj dite fjalëzjarrtë dhe me këtë diskurs (etnocentrik) i kishte bërë për vete shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
-Një vit më herët, në vitin 2011, Edi Rama, në cilësinë e autorit të veprës letrare “Kurbani”, atëbotë lider i Partisë Socialiste të Shqipërisë, e promovoi në Teatrin për Fëmijë në Shkup, ndërsa të pranishëm në promovim ishin vetëm një numër i vogël i adhuruesve të librit. Kjo flet për qasjen e shqiptarëve ndaj librit dhe kulturës, por sidomos ndaj Ramës. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama do të ketë rejting më të lartë ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Platforma frikëson maqedonasit, Rama për “Ballkan të Hapur”
Në 7 janar të vitit 2017, Edi Rama konvokoi takimin e famshëm të liderëve shqiptarë, në të cilin u përkufizua teksti i së ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, e cila nuk ishte gjë tjetër pos artikulim deklarativ (formal) i kërkesave legjitime programore të forcave politike shqiptare këtu në vend, që nga Prosperiteti deri sot.
Edhe pse nënteksti i Platformës ishte shpëtimi politik i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në zgjedhjet e vitit 2016 kishte fituar 10 deputetë, aq sa kishin edhe partitë e tjera shqiptare, ideja e këtij dokumenti ishte sublime, pasi promovonte unitet politik brendashqiptar për çështjet kruciale dhe një lloj paternalizmi nga Shqipëria nënë, sado sipërfaqësor që ishte. Nga ky unitet, sado imagjinar dhe fiktiv që ishte, qarqet intelektuale, politike dhe mediatike maqedonase u trazuan aq shumë, saqë Platformën filluan ta shohin si një lloj gogoli me ambicie “shqiptaromëdha”.
Ata kishin krijuar një lloj frike të madhe se Rama është i angazhuar në projektin e ngritjes së shqiptarëve këtu, por kur panë se ai u angazhua për projektin Ballkani i Hapur, së bashku me Vuçiqin e Serbisë dhe Zaevin e Kovaçevskin e Maqedonisë së Veriut, pa Kurtin e Kosovës, sikur filluan të marrin frymë lirshëm dhe portretin e piktorit të gjatë filluan ta shohin me dioptri johiperbolizuese.
Pesë vite më vonë, po në janar të vitit 2023, Edi Rama sërish konvokoi takim “vëllazëror” në Tiranë me liderët shqiptarë, por pa dhënë shpjegime se pse nuk u mbajt asnjë takim më herët lidhur me zbatimin e pikave të Platformës së vitit 2017. I vetmi lider që e kapi “lojën” e Ramës ishte lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili e refuzoi takimin, pasi sipas tij ai ishte në “shërbim” të BDI-së dhe jo të çështjeve të tjera.
Tanimë kur është e qarte se opozita shqiptare, e cila mban emblemën VLEN, Rama vazhdon raportet e shkëlqyera me BDI-në dhe Ali Ahmetin. Së fundmi, liderin e BDI-së e quajti njeri me vizion historik, pasi “Me afirmimin e shqiptarëve si qytetarë të barabartë në Maqedoninë e Veriut dha një leksion historik për të gjithë politikanët, por dhe për brezat që do vijnë më pas”. Jorastësisht “Opinioni” i Blendi Fevziut të Klanit e shpalli Ahmetin personalitet të vitit. I njëjti Blend së bashku me Batonin, Buzhalën dhe Adriatik Kelmendin ishin mbështetja kryesore propagandistike e BDI-së dhe Ahmetit në ditën e votimit të kryeministrit shqiptar të Maqedoninë së Veriut, Talat Xhaferi. Ishin pjesë e lozhës në Kuvend, ndërsa festonin me uiski.
Manastiri nuk ka qenë dhe nuk është Bitola
Përderisa edhe Rama, njësoj si Berisha, është fjalëzjarrtë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, asnjë televizion shqiptar, përfshirë edhe Radiotelevizionin Shqiptar, nuk ka korrespondentë në Shkup. As Agjencia Telegrafike Shqiptare, si media publike! Shqipëria vazhdon të jetë vend që nuk e ndihmon me asgjë kulturën dhe arsimin shqip. Për këtë mbase kemi mirëkuptim, pasi është edhe më tej në hallet e veta. Por, ata qytetit të Alfabetit shpesh i thonë Bitola! Sa absurde!
Shqipëria s’e luan gishtin për të kontribuar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, përveçse ndonjë deklarate aty këtu që bëhet për qëllime të caktuara dhe që i shkon në konto partiake BDI-së. Kur narrativa mediatike dhe opinionbërëse, jo rrallë edhe ajo akademike dhe politike, në Tiranë na percepton si maqedonas, një pjesë e maqedonasve ende druajnë nga Platforma e Tiranës dhe “bashkimi kombëtar shqiptar”! Sigurisht, kjo është pak paradoksale, besa edhe qesharake.
Meqë “Vjen vera kah dera”, vëllezërit dhe motrat do vazhdojnë të na quajnë turistë maqedonas. Ç’vëllezër e motra janë këta që nuk na e dinë emrin?!