Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë përuruar sot pikëkalimin e përbashkët kufitar në mes të dy shteteve në pikë-kalimin kufitar Hani i Elezit – Bllacë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ky pikëkalim kufitar i përbashkët do të thotë një kontroll në vend të dy kontrolleve.
Gjithashtu, Kurti ka thënë se krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare janë më shumë se sa infrastrukturë kufitare.
“Pas një kohe të gjatë angazhimi e përkushtimi po përurojmë një projekt të rëndësisë së veçantë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, krijimi i pikave të përbashkëta në vendkalimet kufitare “Hani i Elezit – Bllacë” janë më shumë se sa infrastrukturë kufitare”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, ky pikëkalim i përbashkët është një nga dy pikat kufitare të parashikuara sipas Protokollit për Zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, i nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.