Philip Kosnett: Nëse Kosova dhe Serbia e arrijnë një marrëveshje, SHBA-të do ta mendojnë atë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se nëse negociatorët nga Kosova dhe Serbia e arrijnë një marrëveshje, atëherë Shtetet e Bashkuara do ta mendojnë atë.

Ai këto komente i ka bërë gjatë një interviste për “Radio Kontakt Plus”, duke shtuar se vendosja e vijave të kuqe gjatë bisedimeve, do ta vështirësonte procesin e dialogut, transmeton Klan Kosova.

“Ne kemi thënë se nuk do të vendosim vija të kuqe. Si një negociator që jam edhe vet, unë nuk do të doja që njerëzit të më tregojnë se çfarë mund të flas gjatë negocimeve”.

“Nëse Washingtoni, Brukseli, Londra, Berlini apo Parisi u tregojnë pjesëmarrësve – nuk mund të flisni këtë apo atë – kjo do të vështirësonte shumë diskutimin e gjerë”.

“Kur themi se nuk ka vija të kuqe, do të thotë se ne duam të shohim se cilat ide, cilat zgjidhje, arrihen nga palët dhe pastaj ne do të shohim se çfarë mund të bëhet”.

“Nëse Kosova dhe Serbia janë në gjendje të përcaktojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që plotëson nevojat e njerëzve nga të dyja vende, e cila është e qëndrueshme, kjo do të ishte një marrëveshje e madhe dhe ne natyrisht se do ta mbështesnim atë”.

“Kjo është një pikë që unë dua ta theksoj. Nëse arrihet një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të angazhuara në proces për t’u siguruar se njerëzit do t’i përmbushin premtimet e tyre dhe marrëveshja të zbatohet”.

“Marrëveshja nuk përfundon kur nënshkrimet të vendosen në një copë letre, por aty është vetëm fillimi i marrëveshjes”.