Pezullohen të gjitha ndeshjet në Shqipëri pas vdekjes së futbollistit në fushë

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se janë pezulluar të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave, pas vdekjes së sulmuesit, Rafael Dwamnea.

Kapiteni i Egnatias humbi ndjenjat në fushë gjatë ndeshjes me Partizanin në minutën ‘24, futbollisti 28-vjeçar ka rënë në tokë, pa ndjenja, shkruan lajmi.net.

Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë”, thuhet në njoftimin e FSHF-s.

Kjo është një humbje për futbollin shqiptar, pasi Dwamena ishte njëri nga lojtarët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në Superligën e Shqipërisë.