Petulla të Shpejta me Kos

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen por edhe miqtë e të afërmit

Përbërësit

  • 1 vezë
  • 2 filxhanë me kos
  • 125 gr miell
  • Gjysëm luge çaji me sodë buke
  • kripë
  • vaj për skuqje
  • sheqer pluhur për spërkatje

Përgatitja

Në një tas të madh, rrihni vezën dhe kosin, më pas shtoni dhe pak kripë dhe sodën e bukës.

Pasi të keni situr miellin, hidheni dalëngadalë tek tasi, duke e përzjerë gjatë gjithë kohës me ndihmën e një teli kuzhine.

Masën e përzjeni derisa të formohet një brum pak më i trashë se ai i palaçinkave.

Kujdesuni që të mos ju krijohen kokrriza të miellit, gjë që do t’iu ndikojë tek shija e petullave.

Në në tenxhere pak të thellë hidhni mjaftueshëm vaj për skuqje, dhe vendoseni në zjarr që të ngrohet.

Kini kujdes që vaji të jetë në temperaturën e duhur kur të hidhni brumin. Pasi nëse e shtoni kur vaji të jetë ende i ftohur brumi do të ngjitet në fund të tenxheres.

Me ndihmën e një luge merrni pak nga pak nga brumi i petullave dhe hidheni në vajin e ngrohur.

Kini kujdes që t’i skuqni nga të dyja anët njësoj.

Në një pjatë të cekët vendosni disa letra kuzhine kështu do të përthithin vajin e tepërt nga petullat.

Këto petulla serviren të ngrohta dhe me pak sheqer pluhur të spërtakur sipër, por nëse preferoni mund t’i shoqëroni me djathë, mjaltë apo reçel.