Petulla të Mbushura me Djathë të Bardhë – Shije dhe Traditë

Petullat janë gjithmonë një mënyrë e mirë për të kaluar ditët e ftohta të dimrit.

Këtë radhë AgroWeb.org ju sugjeron një recetë perfekte dhe me shije shumë të mirë.

Nëse jeni mësuar që petullat t’i shoqëroni me djathë, këto që ju këshillojmë t’i provoni e kanë djathin brenda.

Një ndryshim kaq i vogël bën dhe diferencën mes petullave të tjera.

Mund t’i shoqëroni edhe me reçel nëse dëshironi, për të bërë një kombinim mes të kripurës dhe të ëmblës.

Provojini që sot dhe kënaquni me një shije vërtet mahnitëse.
Përbërësit

400 gr miell

300 ml ujë

20 gr maja të thatë

2 kokrra vezë

200g djathë i bardhë i thërrmuar

Një lugë uthull molle

Kripë
Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tas të vogël të tretni majanë me pak ujë të vakët.

Në një tas të madh shtoni miellin, hapni një gropëz në mes, shtoni aty vezët e rrahura, kripën, shtoni uthullën e mollës.

Uthulla e mollës do ndihmojë që petullat të mos thithin shumë vaj.

Punoni brumin duke shtuar ngadalë ujin derisa i gjithë mielli të krijohet në formën e një brumi pak më të trashë se ai i krepave.

Lëreni brumit të pushojë përreth 30 minuta, më pas ngrohni tiganin me vaj dhe sapo vaji të jetë gati nisni të skuqni petullat në madhësinë që preferoni.

Kur të hidhni brumin e petullave hidhni pak nga djathi i thërrmuar, e më pas shtoni dhe pak brumë.

Kthejeni me kujdes nga ana tjetër petullën që të skuqet njëtrajtësisht.

Kur të keni mbaruar vendosini në një pjatë të shtruar me letër kuzhine.

AgroWeb.org ju këshillon që mos ta anashkaloni këtë hap pasi është shumë i rëndësishëm për eliminimin e yndyrës së tepërt.

Më pas mjafton t’i konsumoni të ngrohta për t’u mrekulluar me shijen e tyre perfekte.